Persekucioni i egër 45-vjeçar i komunistëve, arratisja nga Shqipëria, përgatitjet në kampet e desantëve në Greqi, nga oficerët të Natos, dhe SHBA, për të hyrë në Shqipëri, ardhja në SHBA, dhe rënia e komunizmit në Shqipëri, dëftehen nëpërmjet kësaj interviste nga ish protagonisti i asaj kohe Remzi Barolli.

Kjo është pak a shumë historia shumë pak e njohur deri tani e Remzi Barollit, i cili është një ish i arratisur nga Shqipëria, 70 vjet më parë.

Remzi Barolli, i cili kur u arratisë nga Shqipëria, ishte në periudhën e Luftës së Ftohtë, dhe komunistët e morën me armë pushtetin atje, me tu arratisur në Greqi, u inkuadrua si i ri anti komunist në grupet e desantëve që hynin në Shqipëri, gjatë sundimit komunist, dhe përgatiteshin nga oficerët e Natos, dhe SHBA.

Ndërkohë, që ai dhe vëllai i tij u arratisën nga Shqipëria, në Greqi, anëtar të familjes së tij, që mbeten atje, për 45 vjet u burgosën dhe u internuan në burgjet dhe kampet e tmershme të Enver Hoxhës.

Si e kujtoni sot, arratisjen tuaj nga Shqipëria!

Remzi Barolli : Sidomos në këtë të moshës, pothuajse nuk ka ditë e natë, që nuk e kujtoj, çdo gjë kur më vjen ndërmend – prej nga ajo që ka të bëjë me frikën, pasigurinë e jetës, së atëhershme, dhe atë guximin si të rinj që kishim pa ditur se si do të ia dilnim – a do shpëtonim apo ajo? e tjera. Ka qenë një vendim sublim për jetë a vdekje!, që as kush nuk e dinte si do kalonim kufirin, nga Shqipëria nën diktaturë, e të dilnim në Greqi, të lirë dhe në perëndim, të hynim e të dilnim si diversantë…..

Si patët ikur nga Shqipëria, cilat kanë qenë peripecitë e para në daljen tuaj në botën e lirë?

Remzi Barolli : Mbasi dolëm në Greqi, na dërguan në një kamp “rezervistësh” ku përgatiteshin të arratisurit kundërshtar të regjimit, për të hedhur në Shqipëri, në misione për përmbysjen e rregjimit të Enver Hoxhës. Aty si mbaruam përgatitjen në Qipro – na suallën prap në Greqi. Mbas disa ditë të qëndrimit atje, na dërguan në një lokal në perëndim të Athinës, ku na na informuan me grupin dhe se çfarë do të bënim. Mua më vunë në një grup që njeri nga ata që e udhëhiqte ishte nga katundi im dhe ai i arratisur. Natën e parë vajtëm në një tavernë, ishim pesë vetë, dhe pimë pak, dhe shijuam lirinë e  botës së lirë -perëndimit. Këto për mua ishte e para herë që e pashë perëndimin, pas atyre ece-jakeve, nëpër pikat e grumbullit të të arratisurve nëpër Greqi. Nuk, mund ti besoja vetvetes, që unë i cili vija nga një vend ku unë isha i burgosuri për jetë – tani të isha i lirë, në perëndim. Dhe, si nata e parë në liri, mua dhe shokëve na bëri të gjithëve në grup të gëzoheshim dhe të festonim lirinë tonë , mbasi që të gjithë ishim të ikur nga regjimi i Enver Hoxhës.

Pra, besojë sipas praktikave të atëhershme, familjen e tuaj e kishin internuar, apo jo?

Remzi Barolli : Pa tjetër ! ai ishte një formalitet si e quanin ata atëherë. Familja ime me ato internimet e mallkuara e nisi prej kur u internua në Tetor 1948. Ata na nxorën nga shtëpia dhe na shpunë në një kamp të internimit në Karkavec afër Prenjasit. Unë jam arrestuar në Maj të vitin 1949. Vëllai im i madh që ishte 21 vjeç iku nga Shqipëria, në korrik të vitit 1950 . Ndërsa nënën, tonë dhe dy vëllezër së bashku me motrën e shpunë në Kampet e internimit në Lushnje. Deri sa regjimi ra dhe vendi u hap ata ishin në kamp të internuar deri në vitin 1990

A kishit ndonjë lidhje të asaj kohe me familjen, kur ishit në arrati? me krorespondenca. Dhe, kur i vendoset kontaktet e para?

Remzi Barolli : Jo, hiç fare! Mbasi u dorëzuam në Greqi, të autoritetet greke, ata na dërguan në pikat e grumbullimit të ngritura për të arratisurit kundërshtar të regjimit. Aty nisëm e mbaruam përgatitjen për të hyrë në Shqipëri. Grupi ynë ishte vendosur dhe bënë ushtrime përgatitore në një bazë ushtarake të NATOS, larg Athinës, shumë afër me kufirin me Shqipërinë, në Kostur Greqi. Në Kostur ishte një kafe e një shqiptari të vjetër – që edhe fliste shqip. Ai kishte kafen dhe e pranonte që ishte shqiptar e quanin Illo. Nga që merreshim mirë vesh me njëri tjetrin e pyeta atë në qoftë se ishte e mundur, të dërgoja sa më parë një letër te Daja im i cili jetonte në Brooklyn NY, dhe ishte emigrant i vjetër në Amerikë. Ilo më tha që nuk ka ndonjë problem, dhe në letër më dha të vendos adresën e tij në Kostur. Ja dërgova letrën dajës, po nuk e dija adresën, e tij në Brooklyn NY. Vetëm e shkruajta emrin e dajës dhe rrugën që e mbaja mend nga letrat që na vinin në atë kohë, rrugën Dean Street, Brooklyn NY. Kur erdha në Amerikë, daja më tregojë se postieri nuk e dinte kush është me atë adresë. Por, fati ishte se kishte qenë disa herë në restorantin e dajës, në Brooklyn, dhe e kishte marr letrën me vete dhe e kishte pyetur dajën- se kush e ka emrin Luis dhe a e dini kush është ky emër se ka ardhur një letër pa adresë të saktë, vetem rruga dhe restoranti. Daja, i ka thënë që unë jam Luisi, ai që i është dërguar kjo letra. Daja, sapo pa emrin tim dhe adresën se ku isha në Greqi, me njëherë më shkruajti, dhe kishte lajmëruar edhe vëllain tim, që në atë kohë ishte në Francë. Kjo ishte një histori si ato nëpër libra dhe filma, histori shumë interesante sot kur e kujtojë.

Me njerëzit në Shqipëri – nuk kishim kurrë farë komunikimi,deri atëherë.

Sa e vështirë ishte të ballafaqoheshe qysh në atë moshë me dy realitetet të ndryshme! Sa dhe si ndryshoj jeta juaj aq shumë në atë kohë?

Remzi Barolli : Kur arritëm në Amerikë, ne gjetëm familjen e dajës, që si thashë më lart kishte ikur shumë kohë më parë dhe ishte stabilizuar mirë, e i kamur si i themi ne. Në familjen e tij në atë kohë ishin : daja, aneja, tre djemtë të dajës dhe nusja e djalit të madh të dajës. Daja im kishte një shtëpi të madhe me shumë dhoma dhe kopsht. Unë dhe vëllai im që edhe ai erdhi ne Amerikë, tre muaj mbasi erdha unë, kemi jetuar në shtëpinë e dajës për nëntë muaj, sa na stabilizojë daja të gjithëve.

Dhe, me thënë të drejtën unë dhe vëllai im, nuk e patëm aspak të vështirë që të ballafaqoheshim qysh në atë moshë me dy realitetet të ndryshme, sepse e gjetëm një farë mbështetje në fillimet e para që janë më se të vështira për çdo emigrant.

Thatë se jeni përgatitur në ish-kampet e e Natos, për të hyrë në Shqipëri. A iu dha mundësi të hyni në Shqipëri?

Remzi Barolli : Po 5 herë! Mbasi na përgatiten në kampet e të arratisurëve, në Greqi, ka qenë dhe hyrja në Shqipëri nga kufiri tokësor, në malet e Greqisë pra malet ku ishte edhe kufiri ndërshtetëror mes dy vendeve. Kemi hyrë në Shqipëri, pa u diktuar fare, herën e parë në Qershor 1954. Kemi udhëtuar për tërë natën nga kufiri, deri sa hymë në thellsëi sipas koordinatave në malin Morava, në perëndim të Moravës. Misioni, ynë ishte për tre ditë, dhe u kthyem të gjithë mirë. Mbas dy muaj na “hodhën” prap në Shqipëri, por kësaj here me tjera kordinata. Këtë herë u hodhëm me parashuta nga aeroplan ushtarak të asaj kohe, dhe ramë me parashutë në afërsi të maleve në Prenjas. Dhe, kështu vazhduam edhe në dhjetor 1954. Që i bie të kemi hyrë e dalë 5 herë – pa u diktuar nga Maji 1954 deri në Gusht 1954.

Në vitin 1954 misjoni i desnatëve për në Shqipëri, u ndalua, nga SHBA dhe NATO. Mbasi e kuptuan se shumë nga ata që hidheshin në Shqipëri, i zunë, sepse, një pjesë e tyre, ishin bashkëpuntor me sigurimin dhe Shqipërin, ishin të dërguar të lajmëronin se kur hidheshin në Shqipëri të arratisurit. Ne atë kohë të gjithë ne që ishim në mission, na dërguan në kampin e refugjateve në Lavrion – Greqi.

Sa veta kishte kampi juaj a e mbani mend ?

Remzi Barolli : Në atë kohë në kamp kishte më shumë se 1500 të rinjë shqiptar, nga Shqipëria, të gjithë të arratisur në moshën 18-26 vjeçare. Konditat në atë kamp, nuk e di as sot ta shpjegojë, sepse, nuk ishin aspak të mira. Për këtë me kujtohet si sot, ne të rinjtë vendosëm të bëjmë protest, kundra direjtorit të kampit. Mbaj mend se mbas disa ditësh erdhën oficerët amerikan në kampin tonë në Lavrion, dhe na pyetën se çfarë kërkomin. Natyrishtë, që ne u paraqitëm kërkesat,tona, dhe u thamë se nuk ndjeheshim aspak të sigurt aty. Mbas disa ditëve, të takimit me amerikanët, sollën autobuzët e ushtërisë amerikane, në kampin tonë, dhe na muarën dhe na dërguan në bazën Amerikane, afër Athinës.

Mbas disa kohë qëndrimi aty në bazën Amerikane, ku na trajtuan shumë mirë, na informuan kush kishte njeri në Amerikë të mbushi dokumentat, dhe mund të largohet nga Greqia. Unë mbusha dokumentat me atë lidhjen me dajën, lidhje që vura nga Kosturi, kur isha atje, dhe në fillim të dhejtorit 1955, isha me grupin e parë që erdhi në Amerik, nga baza Amerikane në Greqi. Unë kam ardhur në Amerikë, më 1955.

Çfarë ju dukej e vështirë në atë kohë ? kur erdhët në Amerikë?

Remzi Barolli : Kur erdha në Amerikë, daja më futi në punë në restaurantin e tij. Atje punonja me dy kushërinjët dhe një kushririn e nënës time..Puna e parë për tre muaj ishte punë në guzhinë, të laja enët dhe pastrojë restaurantin mbasi mbyllej.

Duke qenë se gjatë gjithë jetës je marrë me patriotizëm, dhe luftën kundra komunizmit, si familje, si e gjetët dhe si e shikon sot disaporën ?

Remzi Barolli : Diasapora, sot nuk është më ajo e para viteve 90’, rënjes së komunimizmit, në të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë Shqipërinë. Kur ishim vetëm ne patriotët, adhëtarët me taban, anti komunistët e vërtet, në diasporë, që kishim ikur nga Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare, dhe erdhëm në Amerikë e Europë, Diaspora shqiptare ishte qelibar , ishte si një “lumë” që rridhte me ujë të pastër si kristali, atdhetarizëm e patriotizëm – idealista. Mirëpo, mbas hapjes të Shqipërisë, rënjesë së komunizmit, rrugës për në botën e lirë, perendimin, erdhën edhe në Amerikë, përveç atyre që ëndërronin Amerikën, dhe, vuajtën e sakrifikuan si familje për perendimin, lirinë e demokracinë, edhe ai kontigjenti i njerëzve dhe familjeve që sollën “ujë të trubullt, ujë me baltë e kërcunjë“ i themi ne nga Korça. Erdhën nga ata që veçse e përçanë dhe e prishën shumë strutukturën e vjetër të Diasporës shqiptare, e shkatërruan të djathtën tradicionale në diasporë, me mënyrat e tyre si në kohën e komunizmit. Pikërisht, atë diasporë që ka qenë një histori e vyer e shqiptarëve, pavarësisht bindjeve, krahinës apo fesë. Diaspora para 90′ ishte model i patriotizmit dhe atdhetarizmit të vërtet, demokrat dhe idealist në gene. Në fillim të atyre viteve(90), shumica e atyre, që erdhën dhe përfituan nga ata që vuajtën për 50 vjet, pra bëhet fjalë mbas 90’, filluan të vinin me shumicë të gjithë ata që vinin në Amerikë, të ishin ose vetë ish-komunistë, ose ish sigurimsa, ish spiunë, ose pjesëtar të familjeve, nga ata që i shërbyen dhe që jetuan mirë në atë regjim, gëzuan privilegjet e asaj kohe. Mirpo, kur regjimi ra, ata përfituan në kurrizin e të përvuajturve në Shqipëri, dhe u bën azilantë politik. Ata shfrytëzuan mirë lidhjet e tyre, mes njëri tjetrit, në institucionet e atëhershme dhe u bënë me dokumenta më të persekutuar se ata që kishin hequr “të zinjtë e ullirit” në atë regjim të egër komunist në Shqipëri.

Ku e keni vërejtur te ne shqiptarët që dolëm në perëndim, mbas 90′ nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri , këtë që thua ?

Remzi Barolli : Sepse, kisha menduar se Familjet tona kishin të drejtë të vinin në Amerikë të parët, dhe të mos kishin kurrë farë problemi me dokumentet e azilantit politik, e jo komunistët e sigurimsat, spiunët dhe familjet e tyre, të merrnin azilin politik. Ata që deri para 90 të fusnin në burg ti zije në gojë Amerikën, siç e quanin ata imperializmi amerikan, armiku i shqiptarëve. Nejse!

Por, dua të sqarojë diçka, se kjo është liria dhe ky është perëndimi dhe këto janë SHBA, të cilat jo më kotë janë kampioni i demokracisë e lirisë së njerëzve në botë. Dhe, për këtë me ndërgjegje e them, se nuk e kam problem, fare se kush erdhi dhe kush vjen në Amerikë. Unë për vete falë zotit, dhe atyre ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Shqipëri, me rënien e komunizmit , qysh në vitin 1990-1991, i solla të gjithë anëtarët të familjes time, në Amerikë. Nëna ime ishte e para që erdhi nga Shqipëria, këtu më datën 13 Korrik 1990. Ajo ishte hera e parë, që nëna me fëmijët e saj shiheshim mbas 50 vjetëve, aqsa me shaka them se nuk e “njihnim” njeri tjetrin. Nëna ime pyeste se kush është ky apo ai, ishte një takim thellësisht i dhimbshëm, si nëpër libra e filma. Vëllai me familjen erdhën në dhjetor 1990, ndërsa dy djemtë te tij erdhën disa muaj më vonë, ashtu si dhe motra me familje të saj erdhën në të njëjtën kohë.

A e ke lexuar një qarkore të Ramiz Alisë të 1988, e ashtuquajtura “Udhëzimet e Katovicës”, apo “Dokumenti i Katovicës”?

Remzi Barolli : Po si nuk e kam lexuar, dhe e besojë plotësisht të jetë e vërtet.

Kam lexuar se “Udhëzimet e Katovicës”, apo “Dokumenti i Katovicës”, thuhet se është i hartuar pak vite para lënies së pushtetit nga komunistët e Lindjes, në vitin 1987, në një mbledhje që qe zhvilluar në qytetin polak Katovice, nja 600 km në jug të Varshavës, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të partive komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të Evropës Lindore, thuhet aty. Ky dokument, ose si e quani ju qarkore, ka të bëjë me rrugët që ata udhëheqës të fundit komunist, këshillonin njëri tjetrin si të ndiqnin vendet e Evropës Lindore Komuniste dhe Bashkimi Sovjetik, përfshirë Shqipërinë, Ramiz Alinë, pas rënies të sistemit, për ruajtjen të pa prekur të komunistëve dhe për mbajtjen e pushtetit po prej tyre. Një kopje e këtij dokumentit, thuhet se i kishte shkruar edhe Partisë së Punës së Shqipërisë, Ramiz Alisë, nga vetë Gorbaçovi, dhe mendohet simbas shkrimeve, se ajo letër është diskutuar në Byronë Politike në vitin 1989 në Shqipëri, se si do ta “dorëzonin” pushtetin komunistet “pa u lagur”.

Për mendimin tim, Komunistët në Shqipëri, nuk dhanë dorëheqje, ose e lëshuan pushtetin pa u siguruar nga njerëzit e tyre, se nga pushteti i diktaturës po ata do të merrnin në duar të dy pushtetet, atë ekonomik së pari, por shumë shpejt si ndodhi edhe atë politik, pa u hyrë as edhe, “një gjëmb në këmbë”.

(Enver Hoxha, kur mori fuqinë më 44’: pushkatoi , burgosi pa gjyqe, dhe internoi më me mijëra familje shqiptare,( Ja disa të dhënë që janë përsëritur për 26 vite, përpunuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë në rrethe:

Të ekzekutuar 6.023 persona

Të vdekur në burg 1.065

Të burgosur 34.135 (26.768 burra dhe 7.367 gra)

Të sëmurë mendorë 260

Të internuar deri në vitin 1954 59.517

Të vdekur në internim 9.000

Shqipëria kishte në periudhën e diktaturës 23 burgje dhe 48 kampe internimi. Gjatë sistemit komunist u burgosën dhe u pushkatuan nëpër burgje gjithsej 6535 viktima. )

Në Shqipëri, kur erdhi demokracia dhe regjimi ra, (sipas Katovicës), as kërrkush nuk u dënua për krimet e 45 vjetëve. Qoftë edhe një sa për “nam e nishan” i thonë më shqip. Të gjithë ata që sunduan për 45 vjet, e morën në dorë përsëri Shqipërinë. Mbas luftës së Dytë Botërore, dihet botërisht, se u formua gjyqi i Nurenberg në Gjermani, dhe shumë prej atyre që morën pjesë në ato krime, u dënuan deri me vdekje, dhe shumë të tjerë u dënuan në burg për jetë, për krimet që kishin bërë, ata vet kundra popullit të tyre, por edhe ndaj popujve të tjerë të botës.

Në gjithë këtë situatë, si emigrant i vjetër, a mendoni se ish-komunistët dhe veglat e sigurimit, ish spiunët, ua “vodhën” edhe persekutimin dhe vuajtjen familjeve tuaja ? për 30 vjet “demokraci”

Remzi Barolli : Po si Jo! Por nuk dua se për të zgjatëm më me këtë pyetje, se mendojë që e ezaurova më sipër. “Udhëzimet e Katovicës”, apo “Dokumenti i Katovicës”, i Ramiz Alisë, e shpjegon shumë mirë, si do mbanin fuqinë komunistët, dhe si do të konvertoheshin në demokraci mbas rënies së komunizmit. Një nga pikat më të forta të atij dokumenti, është ai kur thotë që kurr të mos i lëmë të persekutuarit të marrë fuqinë. Sepse, në qoftë se ata marrin fuqin, dhe vijnë në pushtet – athëherë ne do bëhemi yzmeqarët të tyre, dhe marrim fund.

A mendoni se janë realizuar ndopak ëndrrat e shtresës tuaj ?

Remzi Barolli : Jo aspak! Sepse, Shqipëria, sot është e udhëhequr dhe e kontrolluar nga bijtë e Enverit. Pa ikur këta, që janë sot, Shqipëria, kurrë nuk do bëhet demokratike, dhe e lirë, të paktën ashtu si e ëndërronim ne, dhe të gjithë ata shqiptar që dolën 30 vjet më parë e thirrën atëhere “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Në Universitet, kam mësuar se: “Vetëm e vërteta do të na bëjë të lirë” .

Si e shikoni Shqipërinë, mbas 30 vjet demokraci?

Remzi Barolli : Në anglisht i thonë : “Same old same old….!”, “Të njëjtën “plehë” vetëm në një ditë më të vjetër”. Nuk kam shpresë që gjendja në Shqipëri do ndryshojë, sa të jenë bijtë e atyre që e mbajtën Shqipërinë, për 45 vjet. Atje ata që kanë pushtet ekonomik dhe politik dhe janë në fuqi, janë të gjithë bijë komunistësh ose neo komunistat. Si mund të ketë demokraci në Shqipëri, kur të njëjtit njerëz kanë fuqinë.

Unë për vete flasë nuk kam shpresë, se Shqipëria jonë do të bëhet, pa ikur kjo shpurrë që po e mban peng Shqipërinë, 45 vjet me komunizëm dhe tash 30 vjet me “demokraci”. / Intervistoi Beqir SINA – Phoeniz Arizona

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here