Një ndër qytetet e vendit tonë që ka regjistruar numrin më të lartë të personave të infektuar me koronavirus dhe atyre që kanë humbur jetën dhe në moshë shumë të re.
Sipas burimeve zyrtare Elbasani ka pësuar rritje të ndjeshme të infektuarve edhe në institucionet arsimore. Aktualisht kanë rezultuar pozitivë 20 nxënës dhe 39 mësues të infektuar. Ndërkohë në gjimnazin ‘Ahmet Dakli’ një klasë është karantinuar e gjitha pasi 3 prej nxënësve kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar 21 viktima nga Covid-19, shifra kjo më e lartë e regjistruar në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë.
Ministria e Shëndetësisë raportoi 986 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm e të infektuarve në 104,313, nga të cilët vijojnë të jenë aktivë 35,419.
Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 628 pacientë, 46 në terapi intensive, nga të cilët 18 pacientë janë të intubuar.
