Seit Manahasa, një biznesmen me precedentë penalë është vënë në pranga pasi akuzohet për pëngmarrje. Manahasa është prangosur nga forcat RENEA, gjatë një aksioni që këta të fundit kanë zhvilluar pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit. Manahasa akuzohet se ka marrë peng një person, të cilin e ka dhunuar dhe e ka keqtrajtuar në një nga ambientet e biznesit të tij.
Ende nuk dihet emri i personi që është marrë peng nga Manahasa apo arsyet e konfliktit mes tyre. Seit Manahasa është vënë në pranga edhe më parë bashkë me të birin, Albert Manahasa, pas vrasjes së Emiljano Ramazanit.
Shkak u bë një pistoletë e llojit “TT” që u gjet e fshehur në sabratorin e një makine në varrezën e makinave që rezulton të jetë në pronësi të Albert Manahasës. Babë e bir u vunë në pranga pas gjetjes së armës me të cilën dyshohej se ishte vrarë babai i katër vajzave tek “Rrethrrotullimi i luleve” në Elbasan. Por, më pas çështja u pushua, pasi u vërtetua se armën e kishte vënë një tjetër person.
Seit Manahasa, njihet si person problematik. Disa vite më parë ai është proceduar dhe dënuar nga gjykata së bashku me dy persona të tjerë, Klajdi Hasani e Altin Sheshi alis Agalliu, për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim kryer në mënyrë të rrezikshme” mbetur në tentative dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve”.
