Në dalje të Urakës, në “Livadhin e turkut”, merr rrugën drejt Lurës. Prej këtu dhe deri në qendër të fshatit mahnitës kupton se ky segment është kthyer në kantier ndërtimi. Ishte një premtim i kahershëm që po merr jetë aktualisht.
Pasi kalojmë “Qafë-Kishën” rrëzë malit të Valmorit të shfaqet Kurbneshi, ish qyteza e minatorëve të bakrit, tashmë e braktisur, e rrënuar. Nuk gjen askënd të tregojë se nga këtu ekonomia shqiptare përfitoi shumë. Nuk gjen një njeri të të thotë se këtu ishte vend internimi për ata që “devijonin” vijën e partisë. Nuk takon dot një banor të zonës të thotë se selikoza mori dhjetra jetë minatorësh.

Mërkurthi një fshat mes malesh ka vetëm muret e disa shtëpive të ndërtuara nga ish banorët për t’iu përshtatur klimës mjaft të ashpër në dimër. Pak me tej Krej Lura, “paradhoma” e fshatit Lurë, kësaj treve me histori dhe bukuri përrallore.
Fshati Lurë shtrihet në një pllajë të veçantë. Janë “arratisur” shumë familje. Shkaqet janë të shumta. Por përsëri në Lurë ka gjallëri, në behar dhe në dimër. Vijnë këtu nga të gjitha trevat e Shqipërisë, turistë të shumtë “vrapojnë” të shohin liqenet e njohur, bjeshkët e rralla, njerëzit e mrekullueshëm.

E diela e fundit ishte mbreslënëse. Lurjanët festojnë Sh’mrajn, një ditë e bukur, e trashëguar ndër breza. Ish kryetari i komunës Hysni Buci e sqaron thjeshtë: “Pas periudhës së laktacionit (qumështit) blektorët bashkojnë tufët dhe i ngjisin në mal, për t’i majmur dhe përgatitur për stinën e dimrit. Sh’mraj, shton ai, do të thotë bashkim”. Në fshat. Rrëzë pishave janë ngritur disa bujtina për t’u rehatuar mysafirët, shqiptarë dhe të huaj. Ushqime bio, kryesisht të krahinës. Hasan Hoti e Llesh Doçi kanë investuar për të pritur miq të shumtë.

Të dielën e fundit të muajit Gusht Lura bëhet “kryeqendra” e Dibrës. Festa tradicionale e Sh’mrajs mbledh shumë njerëz. Drejtuesit e Qarkut dhe ato të Bashkisë mendojnë qysh herët për argëtimin e pjesmarrësve të shumtë. Një koncert i bukur me këngë, valle e melodi joshëse të Lurës krijojnë një atmosferë të veçantë.
Mes banorëve të kësaj treve ishte këtë të diel edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. Fillimisht viziton kishin e fshatit dhe befasohet sesi një mysliman kujdeset për objektin e kultit, çka fakton se në Lurë, më shumë se kudo tjetër harmonia fetare është mjaft e fortë.

Tirananews.al
