Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar fëmijët dhe mësuesit në ditën e parë të shkollës duke thënë se normaliteti do të rikthehet sërish, por jo jeta. “Prnadaj lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin”, shkruan Basha.
POSTIMI I PLOTE
Urimi i kryetarit Basha për fëmijët dhe mësuesit shqiptarë në ditën e parë të shkollës
Të dashur nxënës dhe mësues që sot nisni vitin e ri shkollor, ju uroj nga zemra suksese!
Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues.
Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle.
Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdijen se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish.
Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Pranda lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin.
Ditë më të mira na presin!
