Intervistoi Manjola Dervishi
Reumatizma është një sëmundje që shoqërohet me dhimbje të forta, të therura dhe ënjtje të kyçeve. Artroza, artriti reumatik, si dhe osteoporoza janë ndër shqetësimet më të shpeshta që shfaqen. Simptomat që dallojnë secilën prej tyre, si dhe këshillat për t’i mbajtur sa më larg. Dieta ushqimore dhe ushtrimet për kyçet e duarve e këmbëve luajnë rol vendimtar në trajtim

Doktor Edi Qato na shpjegon se sëmundjet reumatizmale janë ndër shqetësimet më të shpeshta të shëndetit edhe në popullatën shqiptare, që prekin kryesisht moshat e rritura, por nuk mungon përhapja e tyre edhe tek më të rinjtë. Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, trajtimi i hershëm i simptomave reumatizmale luan një rol të rëndësishëm në kontrollimin dhe shmangien e dhimbjeve të gjymtyrëve e deformimit të kockave. Këto komplikacione favorizohen nga fakti i shfaqjes së simptomave të dukshme që në stadet më të hershme. Reumatologët bëjnë me dije se këto sëmundje mbartin një kosto të madhe, e cila nuk rëndon vetëm individin, por gjithë shoqërinë. Kjo pasi mostrajtimi, përveç dhimbjeve që shkakton tek pacienti, shton edhe mungesat në punë si rrjedhojë e paaftësisë për të kryer aktivitetet e përditshme. Sëmundjet reumatizmale renditen si shkaku i dytë pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, që ndikojnë në rritjen e paaftësie për punë. Kjo sëmundje bëhet më e shpeshtë tek moshat e treta, ku mbi 50 për qind e tyre vuajnë nga format më të ndryshme të reumatizmës. Kategoria më e rriskuar mbeten femrat. Në vijim të shkrimit do të gjeni në formë më të detajuar se cilat janë komplikacionet më të shpeshta që shfaqen, si dhe çfarë këshillash rekomandohen nga mjekët në mënyrë që këto sëmundje të mbahen sa më larg.

Cillat janë llojet më të shpeshta të komplikacioneve reumatizmale?
Reumatizma është një gjendje e rënduar shëndetësore, e cila manifestohet në kyçet e gjymtyrëve, në muskuj ose në pjese të tjera të trupit. Prania e reumatizmës shoqërohet me dhimbje të forta, të therura dhe ënjtje të kyçeve. Reumatizma cilësohet si një ndër sëmundjet më të shpeshta të moshës së rritur, ndërkohë që kushtet klimaterike dhe vendbanimi ndikojnë në shfaqjen e saj. Reumatizma mund të shfaqet në forma të ndryshme, ku ndër më të shpeshtat pohohet të jenë artrozat, osteoporoza, dhimbjet e belit, si dhe një tjetër formë e rënduar siç është artriti reumatoid. Sa më herët të zbulohet prezenca e tyre, aq më efikas dhe më pak i dhimbshëm është trajtimi dhe mbajtja nën kontroll e komplikacioneve.
Çfarë mund të themi për simptomat?
Shfaqja e simptomave që shoqërojnë sëmundjet reumatizmale ndryshojnë ndërmjet pacinetëve. Megjithatë ndër simptomat kryesore që flet për praninë e shqetësimeve reumatizmale pohohet të jetë ënjtja dhe deformimi i kyçeve, si pasojë e avancimit të sëmundjes. Kështu, sa herë që prekni nyjet e vëreni ënjtjen dhe dhimbjen rreth tyre, të shkaktuar kryesisht nga prania e artirit reumatik. “Tek disa dhimbjet vijnë dhe ikin, tek disa dhimbja është e vazhdueshme dhe mund të rritet me avancimin e sëmundjes. Në të tilla raste gjithashtu krijohen disa simptoma të ngjashme me simptomat e gripit. Ndodh që i sëmuri të ndjehet i dobët, ka pak temperaturë, s’ka oreks. Gjatë kësaj kohe mund të humbë peshë dhe të bëhet anemik. Me radhë simptomat e artritit reumatik përfshijnë edhe komplkacione që prekin gishtat. Në çdo pesë pacientë një prej tyre ka disa kokrra nën lëkurë tek bërrylat ose në pjesë të tjera të trupit”, bëjnë të ditur reumatologët rreth simptomave të dukshme të këtyre sëmundje. Nëse një bërryl është i prekur ka shumë mundësi që edhe bërryli tjetër të preket nga dhimbjet reumatizmale. Përgjithësisht kjo sëmundje prek kyçet e lëvizshme, si gjunjët dhe bërrylat, por shfaqet edhe në kyçet e dorës, këmbë, nofulla, qafën, belin, shpatullat, e në raste të rralla fundin e kurrizit.
Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?
Përmes testeve të shumta laboratorike përcaktohet edhe trajtimi që pacienti duhet të ndjekë. Ka raste në të cilat sëmundja mund të mbahet nën kontroll përmes mbajtjes së një diete të kujdesshme, si dhe ushtrimeve fizike. Ndërsa në rastet më të rënduara veprohet edhe me dhënien e medikamenteve, përdorimi i të cilave ndryshon nga pacienti në pacient, për shkak të veçorive individuale që manifeston secili prej tyre gjatë vizitës së zhvilluar tek mjeku specialist. Edhe këtu vlen për t’u nënvizuar fakti që nuk duhet të mbështetemi vetëm tek opinioni i farmacistëve për të qetësuar dhimbjet reumatizmale, pasi në këtë formë mund të rëndojmë edhe më shumë gjendjen shëndetësore.
Çfarë ndikon, pse kjo sëmundje është kaq e përhapur në vendin tonë?
Sikundër e theksuam edhe pak më lart në pjesën dërrmuese të rasteve prania e komplikacioneve reumatizmale shoqërohet me shenja të dukshme, të cilat orientojnë jo vetëm pacientin, por edhe mjekun në lidhje me trajtimin e duhur që duhet ndjekur. Një ndër kushtet që e bën këtë sëmundje shumë të përhapur në vendin tonë është klima dhe faktorët ambientalë të vendbanimit. Klima e ftohtë me temperatura shumë të ulëta është një tjetër shkak që e rëndon edhe më shumë këtë sëmundje. Mbipesha është një tjetër faktor që e rëndon edhe më shumë gjendjen, po ashtu edhe shumë sëmundje të tjera. Faktorët hormonalë mund të ndikojnë në të. Sipas ndarjes së bërë nga mjekët shkaqet e shfaqjes mund të jenë të përgjithshme dhe lokale. Kështu, në shkaqet lokale mjekët listojnë faktorë të tillë që sa herë që sforcohet një nyje, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, problem ky që shfaqet kryesisht në rastet kur ushtrohet aktivitet sportiv, si dhe nga mikrotraumat. Ky problem mund të bëhet edhe më i dukshëm në rastet kur kemi të bëjmë me anomali të lindura, e cila mund të ndikojë në mënyrë të dukshme mbi rastet e paraqitura me artrozë. Ndër shkaqet e përgjithshme specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Gjithashtu edhe faktori gjenetik ndikon në shfaqjen e këtyre sëmundjeve.
Cilët janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje?
Ndonëse nga sëmundjet reumatizmale preken masivisht të dyja gjinitë, më të shpeshta shfaqen tek femrat. Autoritet shëndetësore bëjnë me dije se më e shpeshtë kjo sëmundje shfaqet pikërisht tek kjo kategori (dyfish më e lartë se tek burrat), e kjo për shkak të faktit se kockat janë më të holla, të cilat rëndohen edhe më shumë nga ndërveprimi i një sërë faktorëve. Mjekët reumatologë tregojnë se artriti reumatik mund të shfaqet në të gjitha moshat, por mosha mesatare tek ata që sëmuren më shpesh është 50-55 vjeç.
Si mund ta trajtojmë këtë sëmundje?
Rol vendimtar në trajtimin e këtyre sëmundjeve krahas trajtimit medikamentoz, luan edhe dieta ushqimore, si dhe kryerja e aktivitet fizik. Në rastet kur sëmundja është prezente problemet me ushqimin janë shumë të dukshme. Nëse këto probleme nuk balancohen përmes dietës ushqimore, atëherë sëmundja rëndohet duke kaluar në stade më agresive, çka mund të çojë deri në pengimin e të gjitha aktiviteteve të përditshme. Përballë ndjenjës së dobësisë për të kryere aktivitetet e përditshme, duhet bërë shumë kujdes që të mos lejohet rëndimi i mëtejshëm i simptomave. Duke mos lënë pas dore ushtrimet e lehta fizike, kryerja e të cilave gjithashtu duhet të ndjekë edhe rekomandimet e një mjeku, duhet t’i jepni përparësi dietave ushqimore që kanë si bazë kryesore frutat, perimet dhe zarzavatet. Kjo pasi përbërja e tyre minerale dhe me vitamina ndihmon zhvillimin e duhur të kockave, dhe indit kërcor që ndihmon lidhjen e tyre. Ndërkohë që krejt të kundërta do të ishin reagimet, në rast se dieta juaj ushqimore mbizotërohet nga ushqime që kanë kryesisht përmbajtje yndyrore, dhe mishrash. Ky i fundit mund të zëvendësohet fare mirë me peshkun apo dhe mishin e punës. Mjekët i mëshojnë idesë se konsumi i ushqimeve që kanë të përmbajtje të tyre pak kalori ju ndihmon që të ruani edhe peshën trupore, çka do të thotë se kyçet do ta kenë më të lehtë jo vetëm që të përballojnë peshën por edhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Është e domosdoshme që rregullisht të merren vitaminat, veçanërisht vitamina D e cila është shumë e domosdoshme për kockat, e cila duhet shoqëruar edhe me kalcium./Tirananews.al/
