Opozita doli këtë të shtunë të protestojë kundër vendimit të qeverisë Rama për të mbyllur rrjetin social TikTok. Të rinjtë e PD-së mbanin në duar parrulla ku kërkohej të respektohej liria e fjalës dhe t’i thuhej jo censurës. Protesta ishte e qetë, ndërkohë që policia e shtetit kishte aktivizuar më shumë se 1000 efektivë në terren për mbarëvajtjen e saj.
Në podium folën kryesisht të rinj, mes të cilëve dhe kandidatë në listën e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, teksa kreu i PD, Sali Berisha zgjodhi të qëndrojë në mes të turmës. Berisha e cilësoi këtë tubim si më madhështorin që nga viti 1990, kur studentët u kthyen nga takimi me Ramiz Alinë.
“Rama armik i egër i lirisë, i të rinjve shqiptarë. Rama u damkos si biri i të atit, i cili 37 vite më parë urdhëroi varjen e poetit Havzi Nela. Edi Rama mori ndëshkimin më të madh. Ia thanë të gjitha të rinjtë. Fjalën e kishin të rinjtë. Nuk kam dëgjuar fjalime më të bukura, me pasion. Ishte dita e tyre. Mbyllja e Zërit të Amerikës është çështje gjeopolitike globale. Nga protesta e sotme shqiptarët dëgjuan thirrjen brilante për fjalën e lirë. Kjo ishte protesta e të rinjve. Unë isha një pjesëmarrës. Ky miting krahasohet me atë të datës 11 dhjetor 1990 kur u kthyen nga pallati presidencial në Qytet Studenti”, tha Berisha.
Qeveria u angazhua të mbyllë rrjetin social, ndaj të cilit edhe shumë vende të tjera në botë kanë vendosur masa, pas vrasjes së të riut Martin Cani nga një bashkëmoshatar ndërkohë që për këtë çështje u zhvillua dhe një konsultë me prindër dhe mësues.