Këtë të shtunë rinis dhe procesi i riatdhesimi për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve për shkak të koronavirusit.
Ky proces do të zgjasë vetëm dy ditë, ndërkohë që siç është bërë e ditur personat që vijnë duhet të karantinohen për 14 ditë në një nga hotelet e Durrësit, që do të shërbejë si karantinë. Udhëtimet e para do të jenë me Stambollin dhe Romën.
Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra.
Të gjithë shqiptarët që do të riatdhesohen do të paguajnë biletën e fluturimit 100 euro, e cila do të ndryshojë sipas destinacionit, si dhe tarifën e karantinimit, që do të kushtojë në total 21 euro, por që 14 euro do të mbulohen nga qeveria për fjetjen e shërbimin me standarde anti-COVID 19, ndërsa 7 euro do të paguhen nga personi për ushqimin. Karantina do të bëhet në dy hotele në Durrës që do të ruhen nga ushtria, ndërsa kamerat do të monitorohen nga Policia e Shtetit.
