Nga Artur Ajazi
Nuk e di pse, rinovimi (procesi zgjedhor brenda PD) më ngjau me protestën e flamingove në bulevardin e Tiranës.
Sali Berisha, edhe pse e dëgjon qartazi thirrjen “Berisha në burg” nga kori i protestuesve që personifikojnë flamingot, duket se përtkthimin e bën ndryshe. “Nuk thonë për mua, e kanë me Edi Ramën ata, e di unë”.
Ashtu tha dhe bëri edhe me procesin zgjedhor. Edhe me ato pak zëra medemek “kundër” ndonjë emri të veçantë brenda asaj partie, Berisha e mbyllte duke thënë se “nuk e kanë me mua, e kanë me Mulin apo dike tjetër”. Sipas tij “vota në PD është e lirë, e paster, e drejtë, e paanshme”.
Njëlloj sikurse thonin “flamingot” në bulevard ditët e para të nisjes së protestës.
Të them të drejtën, fillimisht i besova, dhe thashë se “bravo, protesta është oksigjen për demokracinë”. Por kur protesta nisi të bëhej pis dhe të ndotej nga ata që hipnin dhe merrnin mikrofonin dhe shanin me libër shtëpie kryeministrin, ministrat, deputetët dhe çdo socialist, atëhere ndryshova bindjen time.
E para, një protestë pa “kokë” drejtuese, dhe pa një grupim organizator, është e destinuar të dështojë, të nëpërkëmbet, dhe të marrë rrugën e keqe.
Protesta e flamingove dështoi, qysh kur mbështetjen e pare e mori, jo nga qytetaret, por nga Sali Berisha. Qysh kur mbështetjen e dytë e mori jo nga qytetaret, por nga Mul Noka. Kaq duhej që ajo të zvetnitej, të fironte, dhe të katandisej deri atje, sa ata që merrnin mikrofonin flisnin për banalitete dhe perversitete. Nuk jam kundër protestës.
Përkundrazi. Por ata që vinin plisin në kokë, dhe hiqeshin se “jemi të pavarur, kemi program, kemi kerkesa, jemi të vendosur të përfaqësojmë shumicën intelektuale të shqiptareve, pikërisht ata e ndotën atë.
Kështu ngjau edhe me zgjedhjet në Partinë Demokratike. I nisi Saliu, i bitisi Mul Noka. Dhe hajde pastaj “të kam rixha”, besoi Saliut, Mulit dhe Tritan Sghehut, votën, pushtetin, dhe Shqiperinë. Flamingot ikën, shtegtuan, mbeti plisi, Saliu, Muli dhe PD e vjetër. Sepse PD të re, as ka, dhe as ka për të patur ndonjëherë.
