Engin Firat, ndonëse në distancë, vazhdon të jetë drejtori sportiv i klubit të Vllaznisë. Edhe pse turku nuk është shfaqur në këto muaj të parë të sezonit në Shkodër, ai insiston se vazhdon të punojë për klubin kuqeblu dhe në mediat në Turqi, ka shpjeguar se si është situata te skuadra e cila u ndërtua mes shumë telashesh por tani po e sheh veten në kreun e renditjes së Superiores.
“Padyshim fillimi i sezonit ishte i tmerrshëm për ne. Për arsye politike nuk ishim në gjendje të bënim transferime një muaj para startit të kampionatit. Kishte kaos politik në qytetin e Shkodrës për shkak të zgjedhjeve dhe nuk kishte para në arkat e klubit, pasi i gjithë buxheti vinte nga Bashkia. Të gjithë thoshin se e dashuronin ekipin por as nuk vinin të na mbështetnin. Në fakt, kishte shumë që u munduan që të shfrytëzonin këtë situatë për interesin e tyre. Ndaj ishte e pamundur që të ndërtohej një skuadër e re e të përgatiteshim për kampionatin në 4 javë në një situatë të tillë, pro siç e shihni ia dolëm”, tha Firat i cili lëshoi edhe një thumbim. “Do të dëshiroja që të falënderoja edhe disa biznesmenë për mbështetjen e tyre, por fatkeqësisht ata na lanë vetëm”.
Ai tregon se objektivi i Vllaznisë në këtë sezon është të argëtojë, por nuk ngurron të premtojë objektiva madhorë për sezonin e ardhshëm. “Këtë sezon kam formuar një skuadër tërësisht të re, kanë ardhur 14 lojtarë. Kemi krijuar themele të shëndosha. Këtë vit duam të luajmë futboll të bukur. Ne do të kemi objektiv titullin duke bërë 2-3 përforcime në vitin e ardhshëm”, theksoi ai, duke dhënë më pas edhe mendimet e tij për ndeshjen e kësaj jave mes Turqisë dhe Shqipërisë.
“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Një nga finalet e këtij grupi. Ky është shansi i fundit për shqiptarët. Por unë mendoj se fiton Turqia dhe me 99% kalon grupin. Shqipëria ka gjithashtu një ekip të fortë, e treguan në ndeshjen e fundit me Islandën. Do të jetë një betejë e fortë. Turqia është favorite por pres një ndeshje të fortë. Do të ketë avantazh ai që do të jetë më i duruar dhe do të vërë zemrën në fushë”, ishin fjalët e drejtorit Firat