Ambasada shqiptare në Greqi me anë të një postimi në Facebook ka treguar risitë e shërbimit konsullorë në Athinë.
Për të marrë shërbime pranë zyrës konsullore në Athinë ju duhet të kryeni paraprakisht kërkesë elektronike nëpërmjet platformës digjitale e-albania shkruan në postim ambasada.
Gjithashtu aplikimi elektronik mund të kryhet individualisht nga telefoni celuar/ tablet ose në kompjuter dhe ka zero kosto.
Postimi i plotë:
NJOFTIM I ZYRËS KONSULLORE ATHINË
Të nderuar bashkëatdhetarë,
Për të marrë shërbime pranë Zyrës Konsullore Athinë, ju duhet të kryeni paraprakisht kërkesën elektronike nëpërmjet platformës digjitale www.e-albania.al .
Theksojmë se aplikimi elektronik mund të kryhet individualisht nga telefoni juaj cellular/tablet ose kompjuteri juaj personal dhe ka zero kosto:
RISITË E SHËRBIMIT KONSULLOR PRANË AMBASADËS SË RSH-së ATHINË:
Caktimi nga vetë qytetarët në çastin e aplikimit të datës dhe fashës orare të takimit. Gjatë paraqitjes në Ambasadë duhet të keni me vete e-mailin me detajet e takimit (datë, fashë orare, numër rradhe i cili gjenerohet automatikisht nga sistemi). Data e takimit mund të caktohet edhe brenda 24-orëve, për shërbimin gjatë orarit zyrtar. Shtetasit janë të lutur të respektojnë në mënyrë strikte detajet e takimit të caktuar nga ata vetë.
Pagesa e faturave të shërbimit në çdo sportel nëpërmjet aparaturave POS të cilët pranojnë çdo lloj karte bankare dhe kanë komisionin më të ulët të transaksionit bankar (1eu). Inkurajojmë bashkëatdhetarët tanë të kenë me vete kartë bankare në momentin e paraqitjes në sportel, për përshpejtimin e procedurave.
Më poshtë gjeni informacion shpjegues mbi mënyrën dhe hapat të cilat duhet të ndiqni për kryerjen e aplikimit elektronik në www.e-albania.al:
Hapi i parë: klikoni REGJISTROHU
Regjistrimi i qytetarit në portalin e-albania kryhet me numrin personal (kodin e përdoruesit). Numrin personal mund t’a gjeni në çdo dokument tuajin zyrtar (pasaportë, kartë identiteti, certifikatë). Nëse nuk dispononi kartë ID ose karta e identitetit ka skaduar regjistrimi kryhet me numrin personal që do të mund të gjeni në pasaportën aktuale në faqen e të dhënave (poshtë djathtas) ose në certifikatat tuaja shqiptare.
Nëse regjistrimi nuk është kryer, hyni në portalin e-albania.al dhe klikoni “Regjistrohu”
Shkruani tekstin ne CAPTCHA për të provuar që jeni person dhe jo robot dhe klikoni butonin “Vazhdo”
Plotësoni të gjitha të dhënat e kërkuara
Kodi i përdoruesit (NID): Vendosni numrin e identifikimit i cili gjendet në pasaportën biometrike/kartën ID/çertifikatën tuaj, psh. H12345678J ;
Fjalëkalimi: Nuk duhet të përmbajë emrin tuaj;
E-mail: Vendosni adresën e postës suaj elektronike, pasi do ju nevojitet për shërbimet e ardhshme;
Telefoni: Duhet të përmbajë prefiksin, 003069xxxxxxxx
Emri, atësia, mbiemri: Duhet të bëhet kujdes që të gjitha të dhënat të jenë të sakta dhe të përputhen më të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. *Kujdes me të dhënat që mund të kenë “ë”, ose “ç”
Pyetja e sigurisë: Përzgjidhni një pyetje sigurie dhe mbani mend përgjigjen, pasi do ju vlejë në rast se harroni fjalëkalimin.
Në përfundim të regjistrimit do t’ju vijë një kod me 4 shifra në e-mailin tuaj dhe një link për aktivizimin e llogarisë suaj në e-albania. Vendosni kodin në rubrikën ku ju kërkohet si dhe aktivizimin e llogarisë nga e-maili juaj. Në përfundim të këtij procesi do t’ju vijë një mesazh elektronik për regjistrimin e kryer me sukses.
Hapi i dytë: klikoni “HYR”
Klikoni “Hyr” dhe identifikohuni si “Qytetar”
Vendosni kodin e përdoruesit (NID) si dhe fjalëkalimin e krijuar
Kërko shërbimin: Aplikim për pasaportë dhe kartë ID/prokurë e posaçme/ vërtetim/ deklaratë/ lidhje martese etj.
Krijo aplikim të ri: Mbushni rubrikat e paplotësuara dhe në fund ngarkoni foton e pasaportës suaj aktuale ose denoncimit të policisë në varësi të rastit (humbje/vjedhje/sekuestrim).
Përzgjidhni datën dhe orën tuaj të takimit
Apliko: Në përfundim të aplikimit do ju vijë një kod shumëshifror në varësi të shërbimit të kërkuar, psh. 03ATxxxxxx për pasaportë, së bashku me datën dhe orarin e caktuar nga ju, si dhe numrin e rradhës të gjeneruar nga sistemi.
Për shërbimet e tjera konsullore (prokura, vërtetime etj.), qytetari mund të paraqitet pranë Zyrës Konsullore çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në orën 15:00 duke pasur kodin e aplikimit të nxjerrë nga e-albania.
Sjellim në vëmendjen tuaj dhe njëherë se aplikimi kryhet individualisht dhe pa kosto. Në rast pamundësie ose mungese njohurish në fushën e internetit, ju mund të kërkoni asistencë pranë Ambasadës ose nga të afërmit tuaj të cilët kanë njohuri. Aplikimi nuk është i vështirë. Shmangni rritjen fiktive të kostos së shërbimit që merrni, duke kryer pagesa të panevojshme për kryerjen e aplikimit.
Për çdo paqartësi mos hezitoni të na kontaktoni në adresën tonë elektronike [email protected] .
