Policia është e bindur se atentati i ndodhur në Don Bosko me 1 të vrarë e 4 të plagosur ka ndodhur për shkak të prishjeve të pazareve të drogës. ABC mëson se përveç Edmond Crrojt, i proceduar në Itali për drogë e në Francë për trafikim të qenieve njerëzore, të përfshirë në fushën e narkotikëve kanë qenë edhe dy vëllezërit Blerim dhe Erion Çela.
Ky i fundit humbi jetën nga breshëria e plumbave. Ky fakt është përforcuar nga dëshmia që grupi hetimor i ka marrë dajës së tyre, Urim Crroj, i njohur ndryshe edhe me emrin Andi Duka. Duke deklaruar se nuk ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, apo për autorët, ai ka pohuar se viktima dhe vëllai i tij, Blerimi janë marrë me tregtim lëndësh narkotike në Itali.
Urimi ka sqaruar se ngjarjen e ka marrë vesh nga bashkëshortja e viktimës, Erion Çela, ndërsa me të vëllain, Edmondin kishte biseduar në telefon rreth orës 14:30 minuta, por nuk ia kishte treguar emrin e lokalit se ku ndodhej, raporton ABC.
Në pyetje janë marrë edhe dy të plagosurit Edmond Crroj dhe nipi Blerim Çela. Dëshmitë e tyre nuk i kanë ndihmuar hetuesit për identifikimin e atentatorëve.
I dëmtuari Arben Dani, 46 vjeç, ka treguar ishte ulur në lokal rreth gjysmë ore para se të ndodhte ngjarja, pasi aty pranë kishte shoqëruar bashkëshorten për në punë. Dani ka shpjeguar se sapo ka dëgjuar krismat dhe ka parë që u plagos në këmbë, është futur poshtë tavolinës dhe më pas ka shkuar në tualet kur ka parë se krismat vijonin.
