Fletë nga ditari i burgut. Rileximi i vëllimit “Udhëtoj i menduar” të poetit të shquar në kushtet e izolimit total. Përse Dritëroi në Kuvend para deputetëve të “Ballit” i quajti ata “bandë”.  Pse deputetët ballistë, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur kërcënojnë të gjithë njerëzit e drejtësisë, sipas projektit të të çmendurit dhe të eturit për një post shtetëror, Abdi Baleta. Takimet me gazetarët e huaj dhe për çfarë interesoheshin ata më shumë.

E shtunë, 19 shtator 1992

Që në fillim, këtu në burg u fikën dritat. Ora mund të ishte rreth 20 dhe errësira zgjati nja një orë. Tani drita kemi ditë e natë, ndërprerjet janë më të rralla se ç’tregojnë për qytetin, pasi burgu ka edhe gjenerator më vete, por nuk kanë karburant. Në burg, errësira është e rrezikshme, jo vetëm se vlojnë fishkëllimat, por mund të ngjasin edhe gjëra të shëmtuara, rrahje e deri edhe vrasje të ndonjë të dënuari, në qeli, ose të policit që ndërhyn. Siç tregojnë, raste të tilla kanë ngjarë ditën e jo më në errësirë.

Llamba që kam unë në qeli bën goxha dritë, ndoshta, është 100 vatëshe, shumë e mirë për lexim, por jo e mirë për të fjetur. Ajo nuk mund të fiket, jo vetëm se komandimi i saj është jashtë qelisë, por edhe se rregullorja nuk e lejon errësirën, madje, nuk të lejon as të mbulosh kokën, pasi  gardiania përgjigjet për jetën e të dënuarit dhe kontrollon shpesh nga syri i sportelit. Kur dyshon ose kur merr turnin në dorëzim, i bie aq fort derës, sa të bën të hidhesh përpjetë.

Te dera e qelisë sime nuk e bëjnë atë veprim, por e bëjnë në dyert e tjera dhe, për mua, është njëlloj, sepse zhurma që bëhet më zgjon. Por unë fle vonë.

Në spitalin e burgut, ku ndenja e shtruar rreth 10 ditë, nga një laringit i rëndë dhe nga bronkiti, kishte më shumë qetësi dhe ajër. Aty kishte edhe krevat. Por unë ika prej andej para se të shërohesha plotësisht, ngaqë drita elektrike ishte si kandil dhe s’mund të lexoja dot natën.

Arsyeja që më shtyu të mbaj këto shënime, të cilave u kam vënë edhe data, është se nuk kam ç’të bëj tjetër. Kaluan katër ditë që s’po më bie në dorë ndonjë gazetë. Mbi të gjitha, nuk kisha as edhe një libër për të lexuar, i kisha mbaruar të gjithë ata që më kishte sjellë Pranvera (gjithsej kam lexuar në këta 9-10 muaj mbi 40 libra, pjesa më e madhe në frëngjisht, libra me studime, analiza politike, por edhe romane). I fundit që lexova dhe e rilexova ishte libri me poezi, i Dritëro Agollit, “Udhëtoj i menduar”, megjithëse e kisha lexuar kur u botua për herë të parë. Këtë libër a ndonjë tjetër (që më ka mbetur në mend si një libër në format të vogël) e kam lexuar edhe në ato ditët e vështira pas vdekjes së Enverit. Më kishte dhënë kënaqësi dhe qetësi, sa thosha me vete: “Rrofsh, o Dritëro, të falemnderit!”. Edhe kësaj radhe e lexova atë libër në një gjendje shpirtërore mjaft të rënduar dhe sepse, siç thashë, nuk kisha libra të tjerë, as gazeta.

***

Në Kuvend, deputetët ballistë, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur po kërcënojnë të gjithë njerëzit e drejtësisë, domethënë, njërën nga shtyllat e shtetit juridik, dhe duan të vendosin njerëzit e tyre, të përgatitur në kurse 3-6-mujore, sipas projektit të të çmendurit dhe të eturit për një post shtetëror, Abdi Baleta.

Kështu, avokati im nuk e gjeti dot prokurorin e rrethit, që merret tani me çështjen time, ose kryeprokurorin e rrethit, për të vulosur lejen për të bërë takimin e zakonshëm me fëmijët e mi, të cilët, të veshur dhe të gatshëm, prisnin një telefonatë nga avokati. Pra, as fëmijët nuk i takova, por edhe shpresa për një gjyq të shpejtë u venit.

Në këtë gjendje shpirtërore të trazuar të këtyre ditëve më ndihmoi përsëri libri “Udhëtoj i menduar”, i Dritëroit. Ku e gjeta? Është për të qeshur e për të qarë.

Një ditë, nga dritarja e një dhome të hetuesisë, gjatë takimit me fëmijët, pashë që administrata e burgut kishte hedhur poshtë, në një qoshe tё oborrit, librat e bibliotekës, që mund të ketë pasur, bashkë me veprat e Enver Hoxhës. Pashë aty mjaft romane, vëllime me tregime, poezi etj. Ndër to ishte edhe Dritëroi “i menduar”. Iu luta një polici që ta merrte dhe të ma jepte. Ai ma solli. Ishte mjaft i zhubrosur, gjë që tregonte se ishte lexuar nga shumë veta, dhe ca i pluhurosur, por, të paktën, jo i lagur, ngaqë ato ditë nuk kishte rënë shi. E pastrova dhe thashë “do ta ruaj si kujtim”.

Më pëlqejnë vjershat e Dritëroit. Po tani që ai është në Kuvend, ç’vjersha mund të shkruajë, vallë? Duke qeshur, mendova: sikur të dalë Dritëroi në foltore dhe t’u lexojë deputetëve të “Ballit” ato që ka shkruar për ballistët. Sa bukur! Ai, me guxim, i quajti ata “bandë”, që po përgatisnin grusht shteti në Kuvend.

DISA EPISODE ME GAZETARЁ TЁ HUAJ NЁ BURG

Meqё fragmenti i Shёnimeve tё Burgut, qё kam pёrfshirё nё kёtё libёr, ёshtё i shkurtёr, për mungesë vendi, dhe jep shumё pak gjёra nga ato qё kam pёrjetuar nё burg, mendova tё sjell kёtu dy-tri episode nga takimet me personalitete dhe gazetarё tё huaj, qё arrinin tё merrnin leje nga drejtoria e institucionit dhe miratimin tim pёr t’u dhёnё intervista.

Ështё fakt, qё ashtu siç po mё ndodh tani kёtu nё shtёpi, pas lirimit tim, edhe nё burg nuk reshtnin sё ardhuri gazetarё pёr tё mё intervistuar. Duke medituar, ulur në kolltuk, më kujtohen dhe mё dalin para syve ato momente kur mё njoftonin tё bёhesha gati se njё apo disa gazetarё tё huaj do tё vinin tё mё vizitonin nё qeli dhe tё mё merrnin nё intervistё. Nё shumё raste, unё nuk pranoja, i refuzoja, ngaqë nuk doja as të jepja intervistё, as tё takoja ndonjё prej tyre.

Por drejtuesit e burgjeve, insistonin, duke mё thёnё, se ishin tё detyruar t’i pranonin, se ndryshe, do tё akuzoheshin qё pengonin kontaktet me tё burgosurit, akt ky qё do tё cilësohej antidemokratik. Ndaj, shpesh, ata e bёnin fakt tё kryer sjelljen e gazetarёve te dera e qelisё sime. Duke u gjendur para tyre, nuk kisha si t’i ktheja mbrapsht, por pranoja, pёr tё mos i vёnё nё vёshtirёsi zyrtarёt tanё, por edhe pёr tё mos i lёnё vend ndonjё keqinterpretimi nga tё huajt, lidhur me personin tim.

Nё takimet qё kam patur me ta, vija re se fakti qё unё, bashkёshortja e Enver Hoxhёs kisha pёrfunduar nё burg nё momentet e ndёrrimit tё sistemit, ishte nё qendër tё interesimit tё tyre. Ata gazetarё tё shumtё, tё mediave tё vendeve tё ndryshme tё botёs, sigurisht, vinin nё Tiranё me synimin qё tё informonin dhe t’i bёnin tё ditur opinionit botёror se çfarё po ndodhte nё Shqipёri, si vendi qё po rrёzonte i fundit Murin e tij “tё Berlinit”. Por nga vizitat qё mё bёnё mua nё qeli, shihej qartё qё njё nga temat pikante tё tyre ishte burgimi im, ishte “e veja e “Diktatorit” Enver Hoxha”, siç mё quanin nё ato vite pothuajse tё gjithё tё huajt.

Unё nuk e kisha tё vёshtirё qё nё bisedat qё zhvillonin me mua, tё konstatoja se ata para se tё vinin tek unё, ishin kurdisur mirё e mirё nga kontaktet e tyre me elementë antikomunistё, me ish-tё pёrndjekur, me politikanё etj., prej tё cilёve ishin bombarduar me informacione pёr “gjithё ato krime qё ishin bёrё nё Shqipёri, si askund nё botё!”, patjetër dhe me akuza e shpifje kundёr personit tim. Por, kur mёsonin nga unё se, çuditёrisht, isha dënuar pёr “shfrytёzim shtetёror” tё kafeve (!), ata mbeteshin tё habitur. Por vetёm kaq ishte reagimi i tyre. Asnjёri nuk mё pyeti gjatё intervistёs pёr kёtё çёshtje, si e qysh ishte kjo puna e kafeve. Por unё e kisha tё qartё se, megjithëse tundnin kartёn dhe trumbetonin se i pёrkisnin shtypit tё lirё, ata ose nuk guxonin tё shkruanin pёr tё vёrtetat e mia, ose thjesht nuk donin ta bёnin kёtё. Dhe kur dёgjoja pyetjet e tyre, unё qeshja nёn buzё, sepse ato ishin, pёrgjithёsisht, nё frymёn e propagandёs ekstremisht shpifёse, tё gatuar nё kuzhinёn e politikёs mjerane antikomuniste, tё ashtuquajtur demokratike, duke u nisur nga paragjykimi sikur në të kaluarën, nё vendin tonё kishte patur krime, shtypje, varfëri dhe asgjё tjetёr (!)

Megjithatё, pati dhe gazetarë apo ndonjё personalitet tё huaj qё u treguan mё objektivё me mua. Nё kёtё libёr, ku flas pёr jetёn time politike unё nuk kam pёrfshirё asnjё prej intervistave qё u kam dhёnё nё burg gazetarёve dhe personaliteteve tё huaja, jo vetёm sepse ato janё shumё, por sepse, siç e pёrmenda, pёrgjithёsisht, ato nuk janё as realiste, as objektive, por kanё frymёn dhe janë mbushur me propagandё antikomuniste, antienveriste.

Prandaj, edhe pёr kuriozitetin e lexuesit, mendova tё sjell vetёm disa mbresa nga takimet me tё huajt qё mё kanё vizituar në burg. Kёto mbresa kanё lidhje mё shumё me mёnyrёn e komunikimit tim me ta dhe me atmosferёn nё tё cilёn janё zhvilluar ato takime.

***

Një ditё, nё Burgun 313 të Tiranës më erdhi në qeli presidentja e Shoqatës së të drejtave të njeriut, Ë….., nga SHBA. Ishte një zonjë serioze, me trup të gjatë, pak e mbushur dhe impozante. E shoqëronin përkthyes a gazetarë shqiptarë. Unë u ngrita në këmbë, i dhashë dorën dhe u ula në atë çilten time, të ashtuquajtur dyshek, u mbulova me batanije, ngaqë ishte shumë ftohtë, dhe u mbështeta pas murit. Ndërsa zonja e ardhur po formulonte pyetjet, hyri në qeli, me një frymë, si furtunë, zëvendësdrejtori i burgut, të cilin unë e njihja, sepse ishte dhëndri i njërit prej ish-anëtarëve të Byrosë Politike.

Siç duket, e kishin lajmëruar për ardhjen tek unë të zonjës amerikane. Nuk e mbaj mend nëse e përshëndeti mysafiren apo jo, por ai m’u drejtua menjëherë mua:

“Pse je ulur?”.

E habitur nga kjo pyetje e pavend, ia ktheva: “Po pse duhet të rri në këmbë? Ti, do të bësh mirë t’i sjellësh zonjës një karrige, që ajo të ulet (në qeli nuk lejohej asgjë tjetër veç çiltes sime).

Zëvendësdrejtori, qё nuk e priste kёtё reagim timin, nuk foli dhe nuk bëri asgjë, duke e lёnё zonjën e nderuar në këmbë. Atëherë, unë mora një xhupin tim, që nga ana e brendshme ishte me pellush të ngrohtë, të bukur e të shndritshëm, e ktheva nga prapa, e shtrova mbi batanijen time dhe, duke ia treguar zonjës, i thashë: “Uluni, është i pastër”.

Zonja nga Amerika nuk pranoi, duke më thënë: “Jo, falemnderit”, dhe filloi nga pyetjet. Kështu, zhvilluam bisedën.

Ajo m’u duk korrekte dhe një vëzhguese e kujdesshme. Këtë e pashë edhe në artikullin mjaft të gjatë që kishte botuar. Kishte shkruar, në përgjithësi, pozitivisht. Në fillim thoshte se unë e kisha pritur “sikur të isha në shtëpinë time”. Me sa duket, kishte parasysh, ndoshta, bisedën e shtruar që unë bëra me të dhe faktin që i ofrova xhupin tim për t’u ulur.

Nga artikulli, dukej se ajo kishte vënë re, gjithashtu, se isha “veshur dhe e krehur normal”, si dhe kisha dhëmbë të pastër, por këtë nuk e kishte me qëllim të keq. Në fakt, në burg unë nuk ndërrova zakonet e mia të jetës, kuptohet, brenda mundësive që ishin aty. Gjithashtu, shkruante se ajo kishte vënë re në qelinë time 3-4 libra mbi njëri-tjetrin. Vërtet, ashtu i mbaja. Unë gjithmonë kam lexuar, aq më shumë në burg.

Në fillim, nuk deshën të më linin libra për të lexuar, as letër e laps për të shkruar, por, më pas, kur më lejuan të merrja libra dhe gazeta, unë lexoja ditën e natën, libra të gjinive të ndryshme, si politikë, historikё, letrarë, humoristikë. Nuk mund të rrija pa lexuar. Me sa duket, prania e librave i kishte bërë përshtypje zonjës nga Amerika.

Mbaj mend që më intervistoi në burg edhe një gazetare gjermane, e gazetës “Algemaine Zaitung”. Ndër të tjera, ajo më pyeti se a ishte takuar Enver Hoxha me kryeministrin e Bavarisë, Franz Jozef Shtraus, kur ky erdhi për një vizitë “turistike” në Shqipëri, në gusht të vitit 1984. Mbaj mend qё ai hyri nga Shkodra, ndaloi në Tiranë, pastaj duke, kaluar nga Pogradeci, do të shkonte në Greqi.

I tregova gazetares gjermane se Enver Hoxha nuk e takoi Shtrausin, pasi ishte i pamundur dhe se ne ndodheshim në Pogradec, me pushime. Por, i thashë qё Enveri u kujdes për programin e vizitës së mysafirit, i telefonoi dhe i dha porosi zëvendëskryeministrit Manush Myftiu që ta priste mikun në takim dhe t’i jepte ndonjë drekë zyrtare. Gjithashtu, i tregova se zoti Shtraus, që kishte me vete edhe djalin e tij, mbeti shumë i kënaqur në Shqipëri, i pëlqeu vendi, njerëzit dhe u miqësua me ta. Dihet që në ato bisedime nuk u ra dakord për reparacionet e Luftës, që prisnim nga Gjermania, çështje kjo që do të diskutohej gjatë dhe Shqipëria nuk arriti të përfitonte ato që mendonte se i takonin. Megjithatë, midis dy vendeve u lidhën marrëdhëniet diplomatike dhe sot Gjermania mban një qëndrim dashamirës ndaj vendit tonë…

Sa isha në burg, më kanë kërkuar intervista edhe shumë gazeta italiane. Më kujtohet, një ndër ta qe një gazetar i “Corriere della Sera”. Drejtor i burgut në atë kohë ishte nipi i Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, i cili e quante veten “Nënë Tereza”, ngaqë sillej korrekt, bënte të mira dhe në murin e zyrës së tij mbante fotografinë e Nënë Terezës. Ai e dinte italishten dhe nga kjo, si duket, e mbajti gazetarin në zyrën e vet. Dërgoi tek unë një person, që më tha të shkoja atje. Desha, s’desha, pranova dhe shkova në zyrën e tij. Aty u zhvillua dhe intervista, qё kaloi mirё.

Më kujtohet që në fund të intervistës, gazetari italian më bёri pyetjen:

– A besoni në fe?

– Jo, – i thashë, – jam ateiste, e bindur shkencërisht… Marksi ka thënë që fenë e kanë krijuar njerëzit, ata që i kanë shkruar ungjijtë dhe kuranin. Ata që u besojnë atyre e bëjnë këtë, ngaqë në jetën a fatin e tyre kanë momente dhe situata të vështira, pёr kapёrcimin e tё cilave nuk dinë ku të mbështeten… Ja, unë sot pres dy djemtë e mi të vijnë për takim, por më dridhet zemra për ta (sepse situata në vendin tonë nё atё kohё ishte e acaruar, krimi bënte ligjin, hidheshin në erë makina, dëgjoheshin krisma armësh gjithandej, bëheshin sulme dhe kërcënime ndaj komunistëve, veteranëve dhe ndaj pjesëtarëve të familjes sime). Prandaj, – i thashë gazetarit, – kur mendoj se mos u ngjasë gjë djemve të mi rrugës për këtu, them me vete: “Dio, salvi i miei figli…”.

Gazetari më dëgjoi i habitur dhe, me këto fjalë të mia, e mbylli intervistën.

Por debati për fenë vazhdoi edhe pak, sepse ndërhyri drejtori i burgut, i cili më tha: Nënë Tereza besonte te Zoti, por bënte veç të mira…

Pёr ndonjё episod tjetёr, si dhe për rastin kur unë refuzova intervistën me gazetarët francezë, për shkak të mungesës së korrektësisë së drejtorit të burgut, por edhe të vetë gazetarëve, nuk po ndalem këtu, pasi për to kam shkruar te Shënimet e burgut, që i kam përfshirë në këtë libër.

/Dita

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here