Komisioni i Ligjeve është përfshirë nga debatet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Debati i parë nisi për proceudrën, ku opozita pretendonte se këto ndryshime duhet të shqyrtohen në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores dhe jo te Ligjet.
Sipas propozimeve të reja në Rregulloren e Kuvendit, Prokuroria detyrohet që të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon heqje imuniteti për një deputet. Ndërsa PD është shprehur kundër këtij ndryshimi.
Kreut i Ligjeve, Ulsi Manja tha se ishte bojkoti i gjatë i opozitës bëri që Këshilli ta kishte të pamundur të punonte mbi draftin dhe e kaloi atë te ky komision. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se me ndryshimet në Rregullore maxhoranca po tenton të rikthejë imunitetin e deputetit. Sipas tij, maxhoranca ka frikë nga ligji për shkak të aferave korruptive.
Por për kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i pranishëm në komisionin parlamentar të ligjeve për mbrojtjen e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, drafti do të kalojë në Kuvend edhe me votat e opozitës. Sipas tij, nga 12 ndryshimet në dokument, 6 janë propozuar nga opozita.
