Edhe pse në bojkot pa afat me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare, avokatët po gjobiten nga Gjykata e Posaçme, e cila nuk tërhiqet nga rregullorja e re që miratoi dhe që prej 1 shtatorit, i hoqi të drejtën mbrojtësve të mbajnë celularë në seancë.
Për kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, gjobitja s’ka bazë ligjore, pasi ligji detyron çdo anëtar të dhomës të zbatojë vendimet e saj.
Për Haxhinë, rregullorja cënon dinjitetin e avokatit.
Që prej nisjes së bojkotit në datën 8 shtator, në GJKKO janë shtyrë 103 seanca gjyqësore, teksa të mërkurën pritet që Dhoma Kombëtare e Avokatisë të përshkallëzojë qendrimin në bojkot edhe të masave të sigurisë.
Rregullorja e re e GJKKO është kundërshtuar edhe nga gazetarët dhe shoqatat e mediave, duke ngritur shqetësimin për heqjen e aksesit të drejtëpërdrejtë të drejtësisë dhe e kanë dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.
