Numri i të prekurve vijon të rritet në vatrat e fundit që janë shfaqur në Kurbin, Krujë e Shkodër ku vetëm 24 orët e fundit janë shënuar 22 raste të reja.
Por si paraqitet situata në dy spitalet COVID në vend, atë infektiv dhe Sanatorium.
“Ne shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, prej të cilëve 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar” tha Ministria e Shëndetësisë në deklaratën e sotme.
Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327.
Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.
