Në kohët e sotme është shumë e kushtueshme që të keni një fëmijë, pavarësisht vendit në të cilin jetoni.
Por, ndërkohë që Amerika ka një kosto mesatare për rritjen e fëmijëve, Kina është bërë një nga vendet më të shtrenjta në botë për të rritur fëmijë.
Koreja e Jugut kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për të rritur një fëmijë, që nga lindja e deri në moshën 18 vjeç, e matur si përqindje e produktit të brendshëm bruto për frymë, sipas një studimi nga Jefferies. PBB është matësi më i gjerë i aktivitetit ekonomik të një vendi.
Kina vjen e dyta, e ndjekur nga Italia. Shtetet e Bashkuara renditen në mes të 14 vendeve më të shtrenjta, midis Gjermanisë dhe Japonisë.
Megjithatë, për sa i përket shumës absolute të parave të shpenzuara, Kina është një nga vendet më të lira për të rritur një fëmijë. Por, gjithçka është relative: “Nëse më pas i përshtasim këto të dhëna me përqindjen e të ardhurave mesatare të disponueshme, Kina bëhet vendi më i shtrenjtë për të rritur fëmijë,” thanë studiuesit e Jefferies.
Pra, çfarë e bën kaq të kushtueshme rritjen e fëmijëve në Lindjen e Largët?
Një pjesë e madhe e kësaj vjen nga kostoja e arsimit dhe nga kostoja e përkujdesit kur fëmija është në moshë më të vogël. Shërbimet parashkollore në Kinë kanë qenë kryesisht private deri vonë, sipas Jefferies.
Duhen më shumë se 75,000 dollarë për të rritur një fëmijë deri në moshën 18 vjeç në Kinë, dhe 22,000 dollarë të tjera për ta dërguar atë në universitet.
Ndonëse ky duket si një shkollim shumë më i lirë nga shifrat me të cilat mund të përballen studentët në Shtetet e Bashkuara, ka një ndryshim kryesor: “Në shumë vende të tjera perëndimore, kreditë studentore që ofrohen nga shteti janë shumë më të zakonshme dhe barra hiqet nga prindërit dhe transferohet te vetë fëmijët,” thanë analistët e Jefferies.
Në Amerikë, për shembull, 55% e studentëve në universitete u diplomuan përmes një kredie në vitin akademik 2019-2020, sipas të dhënave nga Bordi i Kolegjit.
Çfarë mund të bëjë qeveria
Ligjvënësit kanë shumë opsione për të ulur kostot e rritjes së një fëmije, duke përfshirë subvencionimin e përkujdesit ndaj fëmijëve për të kufizuar hendekun që ekziston midis njerëzve me të ardhura të ndryshme.
Pekini tashmë po ndërhyn për t’i bërë më të aksesueshme programet e mësimit pas shkollës. Një tjetër hapësirë ku qeveria mund të ndërhyjë është kostoja e çerdheve dhe e kopshteve, mendojnë analistët e Jefferies.
“Ne e kuptojmë se qeveria po kërkon ose që këto shërbime të ofrohen nga shteti, ose që të rregullojë çmimin e shërbimeve private”, thanë ata.
Qeveria e Kinës njoftoi në planin e saj aktual pesë-vjeçar se synon që të rrisë numrin e vendeve në çerdhe për fëmijët nën moshën tre vjeç, duke shkuar në 4.5 për 1,000 njerëz deri në vitin 2025 – dy herë e gjysmë më shumë se shifra aktuale prej 1.8 për 1,000 njerëz. Për momentin, ka 42 milionë fëmijë kinezë nën moshën tre vjeç. Prindërit e një të tretës së tyre duan që ata të shkojnë në çerdhe, por vetëm 5.5% e tyre kanë mundësi për ta bërë këtë, zbuloi raporti Jefferies.
Më shumë pasuri do të thotë më pak fëmijë
Normat e lindjeve në vendet më të pasura priren të jenë më të ulëta se në vendet në zhvillim. Ky njihet si “paradoksi demografiko-ekonomik”, që do të thotë se ata me më shumë të ardhura zgjedhin të kenë më pak fëmijë sesa njerëzit me të ardhura më të ulëta.
“Teksa Kina zhvillohet ekonomikisht, ka shumë gjasa që ajo të përballet me paradoksin demografiko-ekonomik, ashtu si shumë vende të tjera të zhvilluara, dhe shkalla e lindjeve mund të bjerë në një nivel më të ulët nga sa pritet,” thanë analistët e Jefferies.
Edhe tani, çiftet kineze hezitojnë të kenë më shumë se një fëmijë për shkak të kostos së lartë të rritjes së tyre. Teksa çiftet në vendet perëndimore duan të kenë dy deri në tre fëmijë, shifrat janë më të ulëta në Lindje.
Për më tepër, edhe numri i martesave është gjithashtu në rënie. Por, në kulturat aziatike, është shumë më e pazakontë të kesh një fëmijët jashtë martese sesa në Perëndim.
Tendencat demografike, si për shembull normat e lindjeve, ndikojnë te bizneset dhe te ekonomia e një vendi. Popullsitë e plakura e kanë më të vështirë që të mbajnë sistemet e tyre të mirëqenies, duke përfshirë sigurimet shoqërore dhe pensionet publike, në një kohë kur numri i popullsisë që punon është në rënie. Me kalimin e kohës, kjo mund të rrisë nevojën për procese të tilla si automatizimi, në mënyrë që të zëvendësohen mungesat e punëtorëve.
Tendencat demografike prekin gjithashtu kompanitë dhe aksionet, megjithëse me një efekt që do të duket pas shumë dekadash në të ardhmen, thanë analistët e Jefferies.
“Ne presim të shohim një shtytje të vazhdueshme dhe domethënëse për të ulur koston e rritjes së fëmijëve në rang global dhe më konkretisht në Kinë”, thanë ata.
Kjo mund të përfshijë lehtësirat tatimore, ofrimin e parave cash dhe subvencione./CNN
Po në vendin tonë?
Sa kushton të rrisësh një fëmijë në Shqipëri?
Sipas ekspertëve të ekonomisë mesatarisht 22% e buxhetit familjar në vend shpenzohet për fëmijët
Mesatarisht, një familje shqiptare prej dy personash shpenzon në muaj rreth 63 mijë lekë, ndërkohë që një familje prej dy të rriturish me fëmijë në varësi, shpenzon rreth 85 mijë lekë, tregojnë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave.
Shifrat nuk specifikojnë në rast se bëhet fjalë për një apo disa fëmijë, por norma e ulët e fertilitetit në vendin tonë, në 1.37, si dhe shifrat e konsumit sipas numrit të anëtarëve në një familje, sinjalizojnë se një pjesë e madhe kanë një numër të vogël fëmijësh. Por sa është kosto e të pasurit fëmijë në Shqipëri?
Kështu, diferenca në konsumin mujor mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë fiksohet në rreth 22 mijë lekë në muaj, në rang kombëtar.
Shifra mbetet e përafërt edhe po të marrim diferencën mes familjeve me 2 persona dhe asaj me tre persona, si dhe atë të familjeve me një person të rritur me fëmijë në varësi dhe asaj të një personi të rritur pa fëmijë në varësi.
Diferenca i “orvatet” shifrës së 20 mijë lekëve në muaj, çka duket të jetë pak a shumë edhe kosto mujore e të pasurit fëmijë për një familje mesatare shqiptare.
Ekspertët theksojnë se kostoja e rritjes së një fëmije në Shqipëri është e lartë.
“Nëse i referohemi pagave mesatare të familjeve shqiptare, ky zë një 20-22% të buxhetit familjar. Por, edhe nga shifrat e INSTAT rezulton që ka edhe diferenca midis familjeve dhe midis qarqeve. Për shembull në Tiranë ka shumë më tepër shpenzime sesa në rrethe, ku jetesa është edhe më e lirë. Doja të theksoja që kur vjen puna te shpenzimet për fëmijët, çdo familje shpenzon sipas mundësisë që ka, pasi varet nga buxheti që ka familja, paga që kanë.
Një fëmijë ka kosto edhe para se të vij në jetë. Duke filluar nga shpenzimet e paralindjes, paketat mjekësore, ekot, procesi i lindjes.
Më tej janë shpenzime të tjera si arredimi i dhomës, karrocat etj. Shpenzimet mujore, ku hyjnë pelenat, ushqimet, produktet kozmetike. Mund të jetë edhe çerdhja ose dado për njerëzit që nuk kanë mundësi t’i mbajnë vetë”- është shprehur më herët ekspertja e ekonomisë, Dorela Beqaj.
