Është tmerr i vërtetë të udhëtosh në segmentin rrugor Qafa e Buallit (Bulqizë) drejt Krastës së Martaneshit. Janë më pak se 20 kilometra që lidhin këtë njësi administrative me rrugën nacionale Burrel-Peshkopi.
Asfalti i shtruar disa dekada më parë është dëmtuar rëndë për shkak të ngricave të vazhdueshme në dimër, lëvizjes së mjeteve të tonazhit të lartë, me krom ose lëndë drusore, si dhe kujdesit të pakët gjatë viteve të fundit.
Shqetësimi më i madh lidhet me aksidentet e shumta që kanë ndodhur në këtë rrugë. Në çdo kthesë dallon lapidarë që tregojnë viktimat e shkaktuara për shkak të gjendjes së rrugës.
Edhe pse ka ndodhur kështu, përsëri kjo rrugë dergjet, paraqitet në gjendje kritike. Gropat e shumta dhe të thella të shoqërojnë kudo. Duhet me shumë se një orë e gjysëm për të përshkruar 20 km rrugë.
Krasta, Batrra, Thekna vazhdojnë të nxjerrin mijëra tonelata krom. Parë në këtë aspekt kjo rrugë duhet të jetë normale, me asfalt, kanale, mbrojtëse ansore, me mirëmbajtës.
Rënkojnë e mallkojnë njerëzit që lëvizin në këtë segment të frikshëm rrugor. Ndërkohë luten prej vitesh që autoritetet shtetërore të mendojnë dhe të ndërhyjnë në “rrugën e lapidarëve.”