Në nisje të seancës plenare ku pritet të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se ndryshimet e tij do të ndikojnë pozitivisht në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas Ruçit, Kuvendi me këto ndryshime ju afrua maksimalisht alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Por, më e rëndësishmja sipas tij, është se plotësuan pritshmëritë e qytetarëve dhe respektuan standardet e kërkuara nga BE dhe Bundestagu gjerman.
Ruçi evidentoi edhe vonesat gjatë rrugës, duke nënvizuar se diferencat midis projekteve të opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare ishin më të mëdha sesa diferencat e tyre me projektet e shumicës qeverisëse.
Por ndërsa koha nuk kthehet pas, kreu i Kuvendit i ftoi deputetët të votojnë pro ndryshimeve në kod në seancën e sotme plenare.
