Armando Sadiku ndihmoi Luganon për të shkuar në Europa League, teksa mbërriti gjatë janarit kur skuadra po luftonte për mbijetesë. Skuadra ku aktivizohet sulmuesi shqiptar barazoi me rezultatin 3-3 ndaj Grashopërsit, që kishte kapitulluar prej kohësh.
Goli i parë i takimit erdhi pikërisht nga lojtari kuqezi. Tashmë Sadiku bën gati valixhet, për t’u rikthyer te Levante pas përfundimit të huazimit. Nëpërmjet një reagimi në “Instagram”, sulmuesi shqiptar nuk e fsheh kënaqësinë për ndihmën që i ka dhënë ekipit.

“Ja ku jemi në fundin e një kampionati tjetër. Unë erdha te Lugano në një kohë të vështirë, kur diskutohej dhe luftohej për mbijetesën. Por ne e menaxhuam situatën për të arritur grupet e “Europa League”, si dy vite më parë. Jam shumë i lumtur që kontribuova me tre gola shumë të rëndësishëm.
E vërtetë, nuk ishte e lehtë për mua që të kthehesha pas atij dëmtimi të gjatë dhe të luaja gjithmonë për 90 minuta. Por unë jam i sigurt se në çdo minutë në fushë, jap më të mirën për fanellën. Lojtarët e mëdhenj shihen pikërisht në këto situata”, ka thënë Sadiku.
