Lulzim Basha thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në 2025 dhe kandidatët do të jenë me lista të hapura. Basha i cilësoi kundërshtarët e tij të djathtë, pjesë e grupimit të Berishës, se po veprojnë për interesat e tyre personale dhe se qajnë vetëm hallin e karriges së tyre, por nuk kanë synim që të rrëzojnë Edi Ramën.
”Ndarja më e madhe mes nesh janë motivet që na mbajnë në politikë, qartësisht Berishën dhe ata në valën e parë dhe ato në valën e dytë i mban motivi personal. Mendoni se ishte më e lehtë për ata që shkuan aty, sesa për mua që të zgjidhja interesin personal. Sigurisht që jo, por kjo do të ishte tradhtia më e madhe e demokratëve”,-tha Basha në ”Report Tv”.
I pyetur në lidhje me spostimin e tij në Kuvend nga rreshtat e parë në rreshtat e fundit në sallë, Basha tha se kjo gjë do t’i njoftohet Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Sa i takon kërkesës për qeveri teknike, Basha tha se çdo gjë është e mundur, por përfundimi do të jetë i njëjtë pasi ka një pakt mes Ramës dhe Berishës, që konkretizohet me faktin se Rama do të vazhdojë të qeverisë dhe Berisha do të mbrojë interesat e veta.
”Është e qartë se Berisha dhe Rama kanë pakt, pjesë e paktit është që Rama do të vazhdojë të qeverisë dhe Berisha të mbrojë interesat e veta. Është e qartë se kemi komplot kundër interesit publik. Berisha nuk ka asnjë fuqi t’i imponohet Ramës. S’ka fuqi ti imponohet sepse ka humbur interesin e qytetarëve. Kanë bërë një bashkim interesave. Nëse ky bashkim çon në lëvizjet të tilla, kjo i shërben Ramës”,-u shpreh Basha.