Një tjetër debat në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, u shënua mes deputetit demokrat Ervin Salianji dhe zv/kryeministren Belinda Balluku. Për Salianjin asnjë shtet s’ka patur këtë sulm kibernetik si në Shqipëri, sepse e kanë përballuar.
“Së pari më vjen mirë që zv/kryeministrja përgënjeshtron kryeministrin. Vetëm 3 ditë më pas Rama ka thënë që sistemi nuk ka arritur të shembë sistemin. Në datë 23 tha që kemi lajme të mira. Rama më 13 shtator: Nuk ka arritur agresori të ketë asnjë zhdukje të dhënash. Vazhdojmë më 10 shtator: E mbron Rama. Pra gjatë gjithë kohës kryeministri nuk e ka pranuar. Së pari kur ju ofrohet se çfarë ju ofrohet nga opozita ju nuk e thoni dot, këtu na keni çfarë kërkoni. Agresioni është në të gjitha vendet e NATO-s dhe Kosova, po ata e kanë përballuar jo si Shqipëria. Asnjë shtet nuk i kanë rënë pantallonat si Shqipërisë, se vendi ynë e ka mendjen të propaganda. Ato raportet s’ka nevojë t’i lexojmë se ka akses kushdo”,-Salianji.
Balluku theksoi sërish se asnjë e dhënë nuk është fshirë nga sistemi. Ajo tha se opozita nuk duhet ta përdorë këtë moment për politikë, ndërsa u kërkoi bashkëpunim për këtë çështje.
“Kërkojmë që opozita të mos e përdorë këtë moment, kur Shqipëria është në sulm kibernetik, për abuzime dhe goditje narrative.Në bashkëpunim me opozitën të kemi mundësi të rishikojmë disa nga aktet ligjore sa i përket mbrojtjes kibernetike. Do vijmë në komisione dhe atë që tha Salinaji do donim ta shikonim në realitet. Lejoni të bëhet transparenca”, tha Balluku.