Deputeti demokrat Ervin Salianji i është bashkuar mbledhjes së Grupit Parlamentar të thirrur nga Enkelejd Alibeaj.
Përpara se të futej në seli, ai ka folur për mediat, ku ka akuzuar se disa deputetë “kulisa” kërkojnë ta ndajnë Partinë Demokratike në 2 pjesë. Salianji tha se ka folur edhe me Grupin e Rithemelimit që edhe ata të ishin pjesë e mbledhjes, pasi është e palogjikshme që PD të vijojë të jetë në krizë.
“Ka një përpjekje të kulisave skizofrenike për ta ndarë PD-në në 2 pjesë. Nuk hyj te ata deputetë që dua që PD të ndahet, por edhe sot kam folur me Rithemelimin dhe zotin Alibeaj dhe bërë përpjekje që mbledhja të jetë e përbashkët dhe është e palogjikshkme që ndërkohë duam të ulemi me Ramën për Presidentin, që Rama e ka përcaktuar dhe e ka futur në zarf, të mos pranojmë të ulemi me njëri tjetrin.
Prej muajsh mbledhjet e grupit janë kthyer në një përpjekje për protagonizëm personal, nuk ka përpjekje për t’i dhënë fund krizës, por është zhvendosur fokusi nga përballja me qeverinë dhe dy reformat kryesore që ka propozuar PD, reforma territoriale dhe reforma zgjedhore. Të dyja prej3 muajsh të mbetura pezull për shkak të mungesës së emrave nga PD.
Siç kam komunikuar me të dy palët, dua të them që grupi duhet të hyjë në një linjë të duhur. Kryesia e grupit ka shumë kohë që nuk mblidhet, dhe përsa kohë që Grupi Parlamentar është legjitim, të gjithë deputetet duhet të ulen bashkë dhe të mos i shpërndajnë më demokratët në çdo cep”, tha Salianji.
