Në vigjilje të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, që do të zhvillohet për herë të parë në një vend jashtë kufijve të BE-së, kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, Urslula von der Leyen, nënvizuan në zëri objektivat për përshpejtimin e Shqipërisë në BE.
Në fjalën e saj Von der Leyen ishte shpresëplotë së Shqipëria po ecën me sukses për tu bërë pjesë e BE-së e nënvizoi se do të ndërmerren një sërë reformash ekonomikë të cila brenda këtij 10-vjeçari do të dyfishojnë ekonominë e vendit tonë.
Korridore të reja për tregtinë e mallrave në tregun e BE, nxitje për hapjen e bizneseve të reja dhe investime në 7 fusha të caktuara, ishin pikat kyçe të “Planit të ri Të Rritjes”, por që për të përfituar prej tij, presidentja e Komisionit Evropian, Urslula von der Leyen tha se duhet të ndërmerren reforma. Von der Leyen rikujtoi se Shqipëria ka përfituar 1.4 miliardë euro nga plani i parë i investimeve për rajonin i akorduar nga BE në vlerën 30 miliardë euro.
‘Dua të përqendrohem tek plani i ri i rritjes i BE-së, sepse këtu po ecim drejt një faze të re veprimesh, pasi ky plan ka potencialin nëse vihet në zbatim siç duhet ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonominë tuaj brenda këtij 10 vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara, ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime.’- tha Von der Leyen.
Për kryeministrin Edi Rama ky plan i ri investimesh është mundësi, por edhe sfidë.
‘Ajo ka ardhur në Tiranë për të paraqitur një plan të ri që do ta ndihmojë shumë Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë që të ecin më shpejt drejt BE. Duhet të plotësojmë detyrat që të marrim fondet kjo është sfida.’- tha Rama.
Ndërkohë kryeministri nuk harroi të përsëriste falënderimin e tij për mbështetjen e dhënë nga KE për tërmetin, si dhe shprehu qëndrimin e prerë të Shqipërisë për të mbështetur BE-në, për të dënuar agresionin rus.
Nga ana tjetër kryeministri Rama, u shpreh se Von der Leyen e ka informuar për procesin screening për të gjithë grupkapitujt themelorë të negociatave, për të cilat tha se ka pasur fjalë të mira.
‘Presidentja na informoi për ecurinë e procesit të screning në kuadër të integrimit, po e them me këtë term se ende nuk jam informuar si është kjo fjalë në shqip. Është diagniozë e thelluar e të gjithë situatës në të gjithë sektorët e vendit. Më vjen mirë që nga presidentja dëgjuam fjalë të mira për këtë proces dhe për çfarë Shqipëria ka bërë.’- tha Rama.
Gjatë konferencës për shtyp me interes ishin edhe zhvillimet që po ndodhin në rajon dhe në botë. Sa i takon tensioneve në veri të Kosovë, Von der Leyen bëri apel që palët të rikthehen në tryezën e dialogut për të normalizuar marrëdhëniet. Por për kryeministrin Rama, samiti i procesit të Berlinit, s’është vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, megjithatë do të ketë hapësira për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon.
