Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se ” Shefqet Ndroqi” do i kthehet normalitetit, dhe se të gjitha rastet me COVID do trajtohen tek Infektivi.
Nga sot spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit të tij normal, pra duke ju dedikuar pacientëve që kanë patologjitë që trajton ky spital, duke filluar nga ato pulmonare deri tek shërbimi i kirurgjisë, hemodinamikës dhe shërbimet e tjera”, tha Manastirliu.
Duke u shprehur se Spitali “Shefqet Ndroqi” i konsideruar si Spitali COVID2, ka trajtuar mbi 60 pacientë, ministrja Manastirliu ka falenderuar stafin e këtij spitali për punën dhe angazhimn gjatë situatës së vështirë të epidemisë.
“Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet. Nga sot rifillojnë konsultat e specializuara, por mbi të gjitha ndërhyrjet e planifikuara të kirurgjisë, i rikthehet normalitetit”, tha Manastirliu.
Duke folur për fazën e rihapjes, Manastirliu theksoi se situata do të monitorohet dhe vlerësohet në baza ditore dhe 14 ditore.
“Nga dita e sotme janë hequr të gjitha kufizimet përsa i përket autorizimeve në lëvizje, qoftë për këmbësorët, qoftë për automjetet. Gjithashtu është rritur fasha e lëvizjes në zonat e kuqe deri në orën 21:00 të mbrëmjes dhe përsa i përket zonave të gjelbërta është hequr fasha orare që kufizonte lëvizjen. Sigurisht që kjo bëhet në kuadër të një strategjie ri-hapjeje dhe praktikisht po ecim sipas këtij plani, duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, duke parë dhe duke vlerësuar rastet që kemi të shtruara në spital dhe gjithashtu edhe rastet e rënda, në terapi intensive. Deri më tani situata është nën kontroll por do të monitorohet në vijimësi”, tha Manastirliu
