Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione për 22 zyrtarë dhe personel ushtarak bjellorusë, pasi janë përfshirë në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.
Në një dokument të botuar të mërkurën, BE tha se 22 individë të rangut të lartë bjellorusë ishin në shënjestër “duke pasur parasysh peshën e situatës dhe faktin se Bjellorusia po merr pjesë në një pushtim të paprovokuar rus kundër Ukrainës duke lejuar agresionin ushtarak nga territori i saj”.
Blloku njoftoi gjithashtu kufizime të mëtejshme ndaj Minskut, duke ndaluar disa importe nga Bjellorusia në BE dhe eksportet e makinerive të BE-së në Bjellorusi.
“Disa sektorë të ekonomisë bjelloruse, veçanërisht sektorët e drurit, çelikut dhe potasës” janë vendosur gjithashtu të ndikohen nga masat, njoftoi Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian në një postim në Twitter të mërkurën.