Pesë persona janë arrestuar në Sarandë si të dyshuar se do të kryenin një vrasje. Arrestimet kanë ndodhur pranë një lokali në fshatin Gjashtë, ku dy prej tyre kishin zënë pritë, me armët gati në një zonë pa ndriçim. Pikërisht ky ka qenë momenti kur Sidorel Moriseni 32 vjeç dhe Alfred Kaja 26 vjeç, janë kapur në flagrancë.
3 të tjerët, Vonis Poka 31 vjeç, Vitrin Hoxha 20 vjeç dhe Franko Bobja 21 vjeç, janë vënë në pranga për moskallëzim krimi. Të gjithë të arrestuarit janë me precedent penal në fushën e narkotikëve. Policia ka dyshime të forta që kanë shkuar për të ekzekutuar një person, megjithatë të arrestuarit, të marrë në pyetje, nuk kanë pranuar që të flasin përpara hetuesve.
Sipas burimeve, ata ndodheshin të ndarë në dy makina dhe në një moment sapo kanë ndaluar, Moriseni e Kaja po shihnin armët kur në atë moment është ndërhyrë nga policia për t’i arrestuar. Të arrestuarit u kapën në një rrugicë pranë banesës së Rexhep Ismailit, i cili u vra në lokalin e tij në Qafë Gjashtë, në maj të këtij viti.
Grupi hetimor është duke verifikuar nëse ndalesa e tyre në këtë zonë është e rastësishme ose jo.
Nga operacioni janë sekuestruar 2 pistoleta, municion, 1 silenciator dhe 2 automjete.
Të arrestuarit
Sidorel Moriseni 32 vjeç, banues në Tiranë
Alfred Kaja 26 vjeç, banues në Kavajë
Vonis Poka 31 vjeç, banues në Tiranë
Vitrin Hoxha 20 vjeç, banues në Kavajë
Franko Bobja 21 vjeç, banues në Kavajë
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Silenciatori”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Falë informacionit të siguruar dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët, në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë, në një zonë pa ndriçim.
Gjatë operacionit arrestohen edhe 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 silenciator dhe 2 automjete.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Silenciatori”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ndërhynë në kohë, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, dhe vunë në pranga, në fshatin Gjashtë, shtetasit:
S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë;
A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Po gjatë operacionit u vunë në pranga edhe shtetasit:
V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë;
V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë;
F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se këta shtetas kishin ardhur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje.
Shtetasit S. M. dhe A. K. u kapën në flagrancë në momentin kur po nxirrnin nga automjeti 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator.
Tre shtetasit e tjerë, të cilët ndodheshin me ta, u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e objektivit të synuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
