Të enjten opozita nisi aksionin e mosbindjes civile duke bllokuar pesë akset kryesore të vendit, duke kërkuar largimin e Edi Ramës.
Ndërkohë në Tiranë ka mbërritur raportuesi për Shqipërinë i grupit parlamentar gjerman CDU/CSU, Christian Schmidt. Në një intervistë për Vizion Plus, ai tha se problemet duhet të zgjidhen nga shqiptarët . “Nëse dëshironi të anëtarësoheni në Bashkimin Europian, ju duhet të pranoni rregullat e shtëpisë evropiane”, ka thënë Schmidt.
Ai shtoi se pret që gjetjet e prokurorisë për manipulimin e zgjedhjeve të hetohen dhe autorët të dënohen.
“Problemet në Shqipëri, para së gjithash, duhet të zgjidhen nga shqiptarët. Kjo përfshin përmbushjen në mënyrë të besueshme të kritereve të BE për sundimin e shtetit ligjor. Gjermania është një partner konstruktiv dhe i përkushtuar për këtë gjë. Nëse dëshironi të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, ju duhet të pranoni rregullat e Shtëpisë Evropiane. Kjo përfshin sigurimin e zgjedhjeve të lira e te ndershme. Prandaj, unë pres që gjetjet e prokurorisë për manipulimin e zgjedhjeve të hetohen dhe autorët të dënohen. Gur prove për këtë do të jenë zgjedhjet lokale në qershor”, tha ai.
