Rusia nuk i ka pritur mirë mesazhet që dha kancelari gjerman, Olaf Scholz në Prishtinë. Kancelari gjerman tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
“Beogradi nuk i ka borxh asgjë Brukselit”, u shpreh zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke pyetur më tej ironi se “a janë këta ‘miq’ të Serbisë?”, ndërsa shtoi se Perëndimi është borxhli ndaj serbëve.
“Popullit serb tashmë po i thuhet vazhdimisht se çfarë dhe si të bëjë. Çfarë do të ndodhë më pas?”, shkruan në Telegram zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse. Duke raportuar këtë reagim, mediat në Moskë risjellin në vëmendje thirrjen e ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, që vendi i tij të rishikojë planet për integrim në BE. Gjithashtu, media ruse risollën edhe deklaratën e vetë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se Unioni Europian është një faktor i rëndësishëm në botë, por që rëndësia e tij po bie bashkë me fuqinë e tij ekonomike.