Siç edhe e kishin paralajmëruar, deputetët e opozitës nuk kanë lejuar që ministrat të ulen në vendet e tyre në Parlament dhe seanca plenare e cila nuk nisi, por u mbajt live në Facebook nga Sali Berisha zgjati vetëm 20 minuta. Kjo pasi Kuvendi bëri me dije se seanca e sotme plenare është mbyllur. Por grupi i Berishës dhe i Bardhit janë brenda Kuvendit dhe po flasin live në Facebook, edhe pse Kuvendi ka fikur dritat.
Deputeti socialist, Erion Braçe ka ironizuar kaosin e shkaktuar nga opozita në Kuvend. Braçe u shpreh se lëvizja e deputetëve te opozitës vjen për shkak se është në interesin e tyre të njihet Berisha si kryetar i PD-së.
”Protestojnë për Saliun. Ne nuk njohim asnjë prej tyre as Saliun. Këta të Lulit nuk kanë ardhur, këta të tjetër kanë zënë sallën. Ata më kanë marrë vetëm kartën. Pa pushtet nuk ekzistojnë ata. Ata deputetë që janë aty brenda, siç është ajo Albana Vokshi, është e tmerrshme, ka hypyr te karrigia e ministren dhe nuk ikën. Na kërkojnë ne që të njohim si kryetar të PD-së Sali Berishën. Nuk është kompetenca jonë. Të tregoj një mesazh të një deputeti të PD që thoshte që; pse nuk na njihni”,-tha Braçe.
Sali Berisha gjatë fjalës live në Facebook nga salla e Kuvendit, u përplas edhe me zv/kryetaren e parlamentit Ermonela Felaj, të cilës i tha se është “turpi i Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës”, pasi ka futur 5 familjarë në Prokurorinë e Tiranës. Berisha u shpreh se bashkëshorti i Felajt është marrë peng për shkak të “gjobave” që ajo ka vendosur gjatë detyrës si prokurore.
“Bërtisni sa të doni, por unë po komunikoj me qytetarët dhe me britmat tuaja nuk shuani dot zërin tonë. Nuk është parlamenti prokuroria e Tiranës, ti je turpi i Shqipërisë, turpi i Ballkanit, i Europës. Ke futur 5 familajrë në Prokurori”, iu drejtua ai Ermonela Felajt. Kjo ka patur burrin të marrë peng nga bandat se vendoste gjoba si prokurore”, u shpreh ai ndër të tjera.
Nga salla e Kuvendit të Shqipërisë që u mbyll pa nisur, por që deputetët e opozitës janë ende brenda sallës dhe deputeti Flamur Noka tha se deputetët e PS-së kanë firmosur në fleta të bardha përjashtimet e tyre nga zhvillimet e Kuvendit. Ka zgjatur vetëm 20 minuta seanca e sotme plenare, pasi zhvillimi i saj normal u pengua nga deputetët e Sali Berishës. E para që u largua nga seanca ishte deputetja Flutura Açka e cila është e grupimit pro Basha, e më pas u larguan deputetët e mazhorancës.
Sipas opozitës, ky vendim vjen si pasojë e bllokimit që mazhoranca socialiste i ka bërë Komisioneve Hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Prej 2 muaj edhe pse mazhoranca ka njohur vullnetin e shumicës së deputetëve për Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, që sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga Lulzim Basha.
Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla është konsideruar si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.


