Serbia vendosi të pezullojë eksportin e grurit dhe të miellit për shtetet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, nga e enjtja e 10 Marsit. Kjo sipas kreut të unionit tregtar agro – ushqimor do të ketë ndikimin e saj në tregun vendas, megjithatë Serbia mbulon vetëm 15 deri 20% të importit vjetor.
Rusia dhe Ukraina, prej nga Shqipëria importon 72% të grurit i kanë bllokuar po ashtu eksportet. Kjo i vendos grosistët në dilemën për të kërkuar rrugë të tjera.
Fabrikat vendase po përdorin ende rezervat e drithit, por rritja e çmimit të miellit dhe e bukës do të jetë e pashmangshme.
Aktualisht 1 tonë grurë nga Franca blihet për 471 Euro, nga Rumania 471 Euro dhe nga Spanja 462 Euro.
