Serbia i ka ndaluar hyrjen ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo pati në plan që sot të zhvillojë një vizitë në Luginën e Preshevës, por që iu anulua.
Lajmin për “Klankosova” e kanë konfirmuar nga MPJ. “Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Edhe Kosova sot i ka ndaluar vizitën drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe. Sipas agjencisë së lajmeve “Tanjug”, ai nuk është lejuar të hyjë në Jarinje.
Po sipas “Tanjug”, nga Zyra për Kosovën është thënë se autoritetet në Kosovë kanë shkuar më tej në shkeljen e marrëveshjes të arritur në Bruksel, kjo pasi nuk e njoftuan Beogradin paraprakisht.
