Ministrja e Arsimit Besa Shahini bëri të ditur në konferencën e posaçme për shtyp pas përfundimit të vitit shkollor dhe maturës shtetërore se në vitin e ri shkollor mësimi mund të vijojë dhe online por gjithçka varet nga ecuria e pandemisë.
“Kanali RTSH shkolla do të vazhdojë të punojë edhe gjatë verës, që në shtator të jetë tërësisht gati. Tani për tani qëndron data 14 shtator, ky është momenti ku planifikojmë vitin e ri shkollor, mund të ndryshojë nëse shohim rritje të madhet të numrave të infektuarve. Për momentin planifikojmë datën 14 shtator. Nuk dimë ende shumë për koronavirusin e ri, jo ne si ministri por në përgjithësi, por disa gjëra po duken si trende, një është që fëmijët e vegjël nuk afektohen shumë dhe nuk janë transmetues të virusit. Të mendojmë se kush në shkollë e kush nga shtëpia janë fakte që do të marrim parasysh”, tha Shahini.
Ajo gjithashtu tha se nga e hëna ka nisur edhe shpërndarja e diplomave për maturantët, ndërsa në maturën e vitit 2021 do të ketë edhe risi. Problem tha ajo, mbetet nota fiktive në gjimnaze.
