SHBA është e shqetësuar për programin e raketave balistike që Irani po vë në zbatim. ”Garda Revolucionare” iraniane ka bërë të ditur ekzistencën e një rakete balistike. Kjo raketë, me një rreze prej 1 350 kilometrash, është versioni i përmirësuar i raketës ”Zolfaghar”. Kjo raketë pritet të lëshohet me rastin e 40-vjetorit të Revolucionit Islamik.
“Duhet të reagojmë ndaj këtij plani që Irani ka parashikuar duke shkelur normat ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Palladino, në një komunikatë për shtypin.
Irani ka ndalur shumë nga planet e tij bërthamore në kuadër të marrëveshjes së vitit 2015, megjithëse vazhdon zhvillimin teknologjik të raketave balistike.
Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga ky traktat duke vendosur sanksione mbi Iranin. Programi i raketave është shqetësues për Perëndimin me frikën se do të sjellë trazira në Lindjen e Mesme. Oficerë iranianë pohojnë se kjo raketë ka për shënjestër Izraelin.