Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka folur në foltoren e Kuvendit gjatë seancës së sotme plenare ku hodhi akuza ndaj Damian Gjiknurit dhe të afërmve të tij, për të cilët ai tha se po grabisin pronat publike.
Në akuzat e bëra prej tij, Shehaj shtoi se kompania e kushëririt të Gjiknurit është shpallur investitor strategjik nga qeveria.
“Një ditë më parë mësuam se të afërmit e një zyrtari të lartë të PS janë shpallur investitor strategjik, bëhet fjalë për kushërinjtë e Damian Gjiknurit. Ky i fundit tha se pronari i kompanisë që ka marrë statusin e investitorit strategjik nuk është djali i xhaxhait të tij, por është fakt se në Vlorë të gjithë e njohin pronarin e kompanisë strategjike “Andi” si djalin e xhaxhait të Gjiknurit”, deklaroi Shehaj.
Gjithashtu, deputeti i kërkoi Gjiknurit të japë sqarime lidhur me këtë çështje, si dhe akuzoi Ramën se po e përdor ligjin e investimeve publike për të pasuruar bashkëpunëtoret e tij.
“I bëj thirrje Gjiknurit të sqarojë parlamentin dhe opinionin publik për këtë lidhje familjare. Edi Rama po e përdor ligjin e investimeve publike për të pasuruar bashkëpunëtoret e tij. Kemi të bëjmë me një aferë më të rëndë. Ky rast është akoma më i rëndë sepse qeveria zvogëloi muaj më parë parkun e Burtintit, duke nxjerrë 800 ha nga zona e mbrojtur dhe do të ndërtohet resorti i kushërinjve të Gjiknurit,”,-shtoi më tej ai.
Sipas denoncimit të deputetit të PD-së, rreth 800 hektarë janë nxjerrë nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Butrintit, ku një pjesë e saj do përdoret për ndërtimin e një resorti.
“Do shkatërrojnë parkun kombëtar për të ndërtuar resortin e tyre. Ky është një aktivitet i strukturuar kur shteti vihet në funksion të një qëllimi. Përvetësimin e aseteve publike nga qeveritarët ne pushtet”, përfundoi Agron Shehaj.
