Emisioni i kësaj jave “Health O’Clock” iu kushtua fëmijëve, me rastin e festës së 1 Qershorit.
Përveç temës së ushqyerjes dhe ndikimit të saj në shëndetin fizik të fëmijëve, në këtë episod u trajtua edhe aspekti i shëndetit mendor tek të miturit.
Gazetarja Brunilda Çami ishte në Qendrën Kombëtare Terapeutike Rehabilituese në Kombinat, ku realizoi një intervistë me psikiatren Besmira Zenelaj.
Psikiatrja foli mbi problemet e ankthit dhe ndjesisë së vetmisë te fëmijët, si dhe pasojat e tyre në zhvillimin emocional.
Sipas saj, këto gjendje shpesh fillojnë në moshë të vogël, por vërehen më qartë nga prindërit kur fëmija hyn në moshën 13–15 vjeç.
“Ashtu si ankthi, edhe ndjesia e vetmisë – e të qenit vetëm në këtë botë kaotike – fillon shpesh në moshë shumë më të hershme se 13–15 vjeç. Por zakonisht prindërit e kuptojnë më vonë. Sinjalet janë të vogla: një fëmijë që rri gjithë kohën në dhomë, që nuk ka dëshirë të kalojë kohë me familjen, që nuk ha më asnjë vakt me prindërit. Kjo ndodh shpesh për shkak të ritmit të rrëmujshëm të jetës,” u shpreh Zenelaj.
Ajo theksoi se vëmendja ndaj depresionit te fëmijët është jetike, pasi ka pasur raste tragjike ku prindërit nuk kanë kuptuar shenjat paralajmëruese në kohë.
“Nëse një prind vëren ndryshim te fëmija i tij, duhet të veprojë menjëherë. Hapi i parë është komunikimi: të pyesë fëmijën në mënyrë të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë – ‘Si mund të të ndihmoj?’, ‘Çfarë mund të bëjë babi/mami për ty?’ Nëse prindi nuk arrin të vendosë këtë urë komunikimi, patjetër që duhet të kërkojë ndihmën e një specialisti,” theksoi psikiatrja.