Në valën për të krijuar audiencë dhe për tu ekspozuar, ethe që kanë prekur çdo fushë të jetës dhe jo vetëm atë të shërbimeve sociale, e gjejmë veten shpesh spektatorë të aktiviteteve masive me karakter social ku përveçse festitvitetit dhe eventualisht ndonjë dhurate (të veshur me PRADA) nuk reflektohet asnjë ndryshim në vulnerabilitetin e grupeve të përfshira.
Dikush promovon hapjen e një Qendre Komunitare, dikush tjetër hap e mbyll projekte për komunitetin rom…ka madje dhe dalje publike ku promovohet ‘’rritja e skemës së ndihmës ekonomike’’ (që në çdo vend normal përkthehet me rrijte të varfërisë dhe në rastin më të mirë shërbimet sociale duhet të shqetësohen dhe jo ta promovojnë si arritje). Nga ana tjetër, njerëzit në nevojë mbeten po ato: të paorientuar se ku duhet të kërkojnë çfarë shërbimi, të painformuar se edhe në një vend të vogël si Shqipëria ekzistojnë instrumenta dhe programe shtetërore për të adresuar poblematikat e tyre ‘’si ata që shohin në televizor’’.
Sot nuk bëhet më fjalë, për mungesë dhe varfëri të shërbimeve. Madje mund të themi se kemi sfiduar veten edhe në disa aspekte cilësore të ofrimit të shërbimeve sociale. Sfida jonë sot është që tek qytetari të mos shkojmë më me një shportë ushqime në dorë në raste festash…por në rast nevoje, ne ta presim atë me një shportë shërbimesh që vlersojnë me profesionalizëm nevojat e tij, dhe të dimë me saktësi se ku do të adresohet secila nga ato nevoja. Dhe kjo detyrë bie pikërisht mbi Shërbimin Social, i cili nuk duhet të harrojë kurrë rolin e vet në koordinimin e të gjitha shërbimeve sociale që ofrohen nga operatorë shtetërorë dhe privat. Me gjithë sfidat e implementimit të reformave në shërbimet shoqërore, Shërbimi Social Shtetëror, Sektorët Social në Bashki dhe Njësi Administrative duhet të jenë të parët që vlersojnë problematikat e komunitetit dhe nuk duhet të lejojnë që e gjitha puna e tyre të kthehet vetëm në plotësime rutinë të formularëve të vlersimit të nevojave të qytetarëve. Këta struktura, në mënyrë të integruar dhe me institucione/operatorë të tjerë duhet të jenë dirigjentët e ofrimit të shërbimeve sociale, shërbimeve parasociale, shërbimeve në familje, shërbimeve të punësimit, shërbimeve të specializuara etj tek qytetari.
Me integrim të shërbimeve sociale duhet kuptuar tërësia e qasjeve dhe metodave për të arritur një koordinim dhe efikasitet më të madh ndërmjet shërbimeve të ndryshme që ofrohen dhe rezultateve tek përfituesit e këtyre shërbime. Kryefjalë duhet të jenë: koordinimi i shërbimeve, bashkëveprimi, partneriteti, bashkëpunimi ndër-disiplinar, dhe po nuk u konceptua si një gjëndje e vazhdueshme ku shkallë-shkallë shkohet drejt përforcimit të personit dhe përgatitjes së tij për të përballuar vetë përditshmërinë dhe jetesën, ngelemi në vend-numëro në rastin më të mirë dhe në kaos në rastin më të keq.
Integrimi si koncept në fushën e shërbimeve nuk rezulton vetëm në satisfaksion dhe arritje të pritshmërive tek përfituesit, por gjithashtu një koordinim që siguron efektivitet të kostove por pse jo edhe sadisfaksion te ofruesit e këtyre shërbime. Pa dashur të futem më shumë në teknikalitete, dhe duke mos dashur të prek koordinimin e shërbimeve dhe politikave në nivel makro (që nënkupton diametrin vertikal të tyre), dua të sjell në vëmendje atë çfarë me të vërtetë ndikon jetën e njerëzve në një kohë të shkurtër: integrimi horizontal i shërbimeve sociale, ku në qëndër është qytetari dhe rreth tij si një sinfoni e mirë-orkestruar ku koordinohen të gjitha shërbimet që plotësojnë nevojat e tij.
Pikërisht për këzë arsye, Shërbimi Social synon të ndërtojë punën e tij mbi parimin e partneritetit (sanksionuar edhe në Nenin 4 të Ligjit nr.121/2016 Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror) e për rrjedhojë kushdo që shërben në këtë fushë duhet të njohë dhe të përdorë në mënyrë sa më efiçente shërbimet që ofrohen nga operatorë shtetëror dhe privatë, në mënyrë që personave në nevojë ti adresohet çdo problematikë.
Falë një pune voluminoze të bërë për digjitalizimin e skemës së Ndihmës Ekonomike, dhe skedimin e çdo familje në nevojë, ekziston tashmë një regjistër i pasur me familje në kushte të vështira sociale dhe ekonomike të ndarë tashmë sipas kategorive në nevojë. Nga ana tjetër, prej vitesh lëvrohen nga qeveria Programe të nxitjes së Punësimit për Punëkërkues të Papunë nga Grupe të Veçanta (VKM 48/2008) të cilët në mënyrë specifike targetojnë të papunët afatgjatë, personat mbi 45-vjeç që nuk kanë arsim të lartë, pjesëtarë të komunitetit rom/egjiptian. Nga viti 2016 është vënë në zbatim Programi i Nxitjes së Punësimit për të rinjtë me Statusin e jetimit (VKM 64/2016) ku falë ndërmjetësimit të Zyrave të Punësimit këtyre të rinj u ofrohet punë me dinjitet dhe afatgjatë. E kështu me radhë kjo praktikë pune duhet ndjekur me gratë viktima në marrëdhëniet familjare, me personat me aftësi të kufizuar, familjet kujdestare apo familjet e fëmijëve në institucione përkujdesi.
Është pikërisht në rolin e administratorit shoqëror dhe shërbimit social që të promovojë si alternativën më afatgjatë, punën dhe integrimin në tregun e punës, dhe jo programet pasive të mbështetjes me të ardhura për këtë kategori njerëzish. Me të njëjtin parim duhet të punohet dhe me shërbimet psiko-sociale etj.
Jo rastësisht është formalizuar tashmë Ndërmarrja Sociale dhe praktikat e ngritjes së subjekteve të tilla, me qëllim pikërisht mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël, por edhe si një alternativë në gamën e gjërë të operatorëve që ofrojnë shërbime. Është një instrument që është parashikuar nga ligji, por ende njohet dhe përdoret shumë pak.
Vetëm duke patur një qasje gjithëpërfshirëse dhe të integruar mund të ndërhyhet në mënyrë kapilare në kompleksitetin e problematikave sociale. Asnje fenomen apo problematikë sociale nuk duhet parë e veçuar apo si rast i izoluar. Eksperienca na ka mësuar që fenomenet dhe problematikat sociale zhvillohen brënda një konteksti kompleks, dhe si i tilla duhen trajtuar. Qëllim duhet të jetë trajtimi në plan afatgjatë dhe profesional i çështjeve, dhe mbi të gjitha shkëputja e zinxhirit të vulnerabilitetit.
Nersada Mandija
*Specialiste e Shërbimeve Sociale dhe të Punësimit