Në përfundim të mandatit të tij trevjeçar si Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato është nderuar nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes.
Pas ceremonisë, Gonzato ndau në rrjetet sociale një mesazh falënderimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke theksuar se vendi ynë po i afrohet gjithnjë e më shumë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mesazhin e tij e mbylli me fjalët: “Shihemi në BE.”
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri”, shkroi Gonzato.
Ai u shpreh mirënjohës për të gjithë shqiptarët që ka njohur gjatë misionit të tij diplomatik, duke theksuar se ka qenë privilegj të shoqërojë vendin në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
“Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, vijoi ai.
Ambasadori theksoi se Bashkimi Evropian ka qenë kërkues, por i drejtë, duke inkurajuar një shoqëri ku mbizotërojnë shteti i së drejtës, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe pjesëmarrja e të rinjve në ndërtimin e së ardhmes.
Në fund të mesazhit, Gonzato falënderoi kryeministrin Edi Rama për vlerësimin e dhënë.
“Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’. Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE”, përfundoi ai.
