“Sot qeveria mori vendimin për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të drejtorit të Policisë, Gledis Nano. Nuk realizoi objektivat”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në një dalje për mediat nga Kryeministria. Deri në emërimin e drejtorit të ri të Policisë, ministri i Brendshëm tha se detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë.
I pyetur nga gazetarët nëse është “zgjidhja” shkarkimi i Gledis Nanos për aq kohë sa përgjegjësi duhet të mbajë edhe vetë ministri për drejtimin e policisë së shtetit, Çuçi u përgjigj se shkarkimi i tij është një masë efikase për një reagim të fortë të policisë.
“Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli, Qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”.
Ende nuk ka një emër se kush do ta pasojë Nanon në këtë detyrë. Vendimi për Nanon vjen në një kohë që vetëm në muajin gusht, janë regjistruar krime të frikshme, atentate nga grupet mafioze, ku autorët ende nuk janë kapur.