Në ditën e djeshme u mbyllën ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, të cilat vendosen se për më tej mund të vazhdojnë Tirana, Kukësi, Teuta dhe Bylisi. Bardheblutë kaluan me thjeshtësi Besëlidhjen, po ashtu ishte edhe për Kukësin ndaj Apolonisë.
Një vështirësi më të lartë pati Teuta me Vllazninë, megjithatë durrsakët ia dolën të vazhdojnë garën në kompeticionin që është edhe objektivi i tyre kryesor. Pak më shumë vuajti Bylisi ndaj Skënderbeut, megjithatë, ballshiotët tashmë janë në gjysmëfinale.
Këto klube nesër në orën 11:00, nga ambientet e stadiumit Air Albania do të mësojnë kundërshtarët e tyre për të vazhduar ndjekjen drejt trofeut, por edhe për një biletë për në Kupat e Europës.
