Mësuesja 58-vjeçare që u pa në video duke goditur dhe fyer nxënës në një shkollë 9-vjeçare në Kamëz është shpallur në kërkim nga policia.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 5 nisën procedurat pas pamjeve të transmetuara në një emision investigativ, ku ajo shfaqej gjatë orës së mësimit duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve.
Sipas policisë, ndaj saj rëndojnë dyshime për dhunë gjatë procesit mësimor, ndërsa hetimet janë mbështetur si në pamjet filmike, ashtu edhe në veprime të tjera hetimore.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 shpallën në kërkim shtetasen M. H., 58 vjeçe, pasi, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, si dhe me veprimet e tjera hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve. Po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” thuhet në njoftimin e policisë.
Pas pamjeve, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë njoftoi ngritjen e një grupi pune për të ndjekur situatën dhe për të takuar drejtuesit e shkollës, psikologët dhe prindërit e fëmijëve të përfshirë. Me vendim të datës 25 shkurt 2026, marrëdhëniet e punës me mësuesen u ndërprenë menjëherë
Për rastin reagoi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, me një mesazh publik.
“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë. Respekt dhe mbështetje për ta”, shkroi ajo në Facebook.
Ky skandal ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e fëmijëve në mjediset shkollore dhe integritetin e figurës së mësuesit.
