Një 27-vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi iu gjet lëndë narkotike në doza të vogla dhe municion luftarak.
Në sajë të operacionit të koduar “Fresku” u arrestua S. S., 27 vjeç, banues në Zall – Bastar, Selitë, Tiranë.
Policia kishte marrë informacion se ai tregtonte lëndë narkotike cannabis sattiva për shtetas të ndryshëm, përdorues të saj, në zonën e Freskut, Tiranë, si dhe tregtonte municion luftarak.
Mbi bazën e këtyre informacione u organizua puna për kapjen e tij në flagrancë. Nga kontrolli i ushtruar ndaj shtetasit S. S., në rrugën “Qemal Deliu”, është gjetur një sasi lënde, e dyshuar cannabis sattiva. Menjëherë është ushtruar kontroll në banesën e tij, në rrugën “Muhamed Deliu”, ku është gjetur dhe një qese e mbushur me lëndë të dyshuar cannabis sattiva, gjithsej 836.6 gramë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas kishte dhe një banesë në fshatin Selitë, Tiranë dhe nga kontrolli në këtë banesë janë gjetur dhe sekuestruar 40 kuti kartoni të mbushura me fishekë luftarak, 8 karikatorë ( gjithsej 1 318 fishekë) dhe fitil zjarrpërcjellës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Mbajtja pa leje armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
