Këshilli Bashkiak Mat zhvilloi një mbledhje jashtë radhe. Kryefjala e mbledhjes së jashtëzakonshme kishte të bënte me situatën e rendit dhe qetësisë në qytetin e Burrelit, ku ditë më parë një fëmijë 11 vjeç humbi jetën, për shkak të përplasjes nga një makinë që lëvizte me shpejtësi në qendër të qytetit.
Kryetari i Këshillit Bashkiak Mat, Agim Hysa u shpreh në fillim të mbledhjes urgjente se siguria rrugore në qytetin e Burrelit është shumë problematike, se ka munguar bashkëpunimi Bashki-Polici, se administrata vendore nuk kishte zbatuar vendimin e këshillit për të njoftuar zyrtarisht Komisariatin e Policisë që zyrtarët e saj të raportonin për situatën aspak normale që është krijuar. “Ka humbur jetën një fëmijë dhe banorët e Matit e kanë përjetuar mjaft keq ngjarjen tragjike. Ne, të zgjedhurit lokal nuk mund të heshtim”, nënvizoi Hysa.
Pas këmbënguljes së këshilltarëve në mbledhje ka mbërritur kryetari i Bashkisë Nezir Rizvani dhe shefi i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Matit, Artur Kurti. Këshilltarët që morën fjalën u shprehën mjaft kritikë për situatën e krijuar dhe kërkuan ndërhyrje të menjëhershme. Luftim Vani, këshilltar i PSM tha se: “Shpejtësia e mjeteve vijon të shqetësojë banorët e Burrelit. ka ankth, frikë, panik. Tabelat janë montuar në qytet, por bashkia duhet të largojë inertet që ndodhen në qendër prej tre muajsh. Edhe për parkimin e makinave duhen marrë masa”
Për këshilltarin socialist Qazim Gjoni, duhet parandaluar fenomeni, jo të presim viktima. Sipas tij ka shumë anomali në rrugët dhe mjediset publike të qytetit. Lindita Doda, këshilltare e PD-së tha: “Policia ka dështuar në misionin e saj, nxënësi humbi jetën pranë shkollës, në Komësi tjetër ngjarje e rëndë, pse justifkohet Policia e Matit me mungesën e radarëve. Ligji, shtoi Doda, zbatohet në mënyrë selektive, ndalohet qytetari i rregullt, dhe nuk zbatohet ai për minorenë dhe persona që kanë makina luksoze. Policia sheh kush është poseduesi i mjetit. Motora e makina bëjnë spektakël në rrugët e qytetit”.
Edhe këshilltarët Qemal Cenaj i FRD-së dhe Ibrahim Kurti i LSI-së u shprehën se Policia e Matit për momentin është jashtë loje. “Ka persona problematikë që realizojnë video në oborret e shkollave, që nuk e kanë problem të lëvizin me shpejtësi të madhe në rrugët e qytetit, nga bashkia deri në periferi”
Dylejman Buna, kërkoi parandalimin e ngjarjeve të tjera. “Bashkia të krijojë infrastrukturën e nevojshme për lëvizjen e mjteve, Policia Rrugore të parandalojë ngjarjet. Ka persona të papërgjegjshëm që krijojnë panik në qytet”, tha Buna.
Këshilltarja e PS-së Elisa Gjasta, nënvizoi se duhet të sensibilizojmë cdokënd, të përdorim cdo mënyrë për të ndalur agravimin e situatës. “Masat e sigurisë duhet të rriten, opinion pret ndërhyrje. Ende situate nuk është normale në qytet dhe banorët na kanë shprehur shqetësimin e tyre”, pohoi Gjasta.

Shefi i policimit në komunitetit, Artur Kurti, tha se: “Në se nuk kami ngjarje të rënda kriminale nga janari deri tani, kemi probleme me sigurinë rrugore. Qarkullimi rrugor nuk varet nga Komisariati i Matit. Normale është të ketë një bashkëpunim më të madh mes institucioneve. Punimet në sheshin “Demokracia” kanë krijuar probleme serioze për lëvizjen e makinave”, përfundoi Artut Kurti.