Gjatë diskutimit në Konferencën e Kryetarëve të ndryshimeve në Kodin Penal sa i përket moslejimit të daljes jashtë shteti të gjithë atyre që kryejnë krime elektorale, ka pasur debate mes deputetëve të mazhorancës por dhe ata të opozitës së re. Mes debateve, Ruçi u ka kujtuar kolegëve të tij deputetë për masat që marrin shtete të tjera, madje dhe për votimin me detyrim.
Tirananews.al mëson se në këtë konferencë, Ruçi është shprehur se Shqipëria nuk mund të mbetet peng i një pakice, ndërsa theksonte Shqipëria shihet në sytë e ndërkombëtarëve si “delja e zezë”.
“Lidhur me Kodin Penal, ju lutem shumë, kini parasysh që çdo deputet ka të drejtë, sepse e ngriti zonja Hajdari, që ka qenë në program, ka qenë në kalendar e të tjerë… Ky nuk është një projektligj më vete që të ndjekë procedurat parlamentare: nisma duhet të qëndrojë 15 ditë, pastaj të futet në program, pastaj në kalendar, pastaj të kalojë në komisione. Por, nga ana tjetër, kur diskutohet një Kod ose një projektligj, çdo deputet në komision, deri te salla e Kuvendit, ka të drejtë që para 24 orëve të depozitojë amendime. Votohet ose jo, është diçka tjetër. Kështu që nuk kemi çfarë të bëjmë. Dua të trajtoj edhe diçka tjetër lidhur me këtë. Ka shtete, madje të Bashkimit Europian, që pjesëmarrjen në votim e kanë detyrim. Së pari, në qoftë se ti nuk merr pjesë në votime, të ndalohet dalja jashtë shtetit. Së dyti, shikoni se çfarë po bëhet me ne si shqiptarë. Për arsye të pesë vetave, të njëqind vetave apo të njëmijë vetave, që kryejnë krime në vendet e Bashkimit Europian, kërkohet të penalizohen 3 milionë shqiptarë për të mos lëvizur jashtë shtetit. E qartë? Prandaj, kur ne flasim për përgjegjësi shtetërore, duhet të marrim masa që liritë dhe të drejtat e njeriut të mos jenë pa fund dhe për këdo. Ato janë për pakicën, për atë pakicë që dëmton shumicën, ka penalitete dhe ne duhet të përgjigjemi për këtë punë. Mos harroni që jemi i vetmi shtet që ka nënshkruar kontratë me FRONTEX-in për të kontrolluar kufijtë. Pse? Sepse jemi bërë si delja e zezë, sikur ne shqiptarët e futëm edhe në Europë, edhe në botë, krimin, korrupsionin, drogën e njërën, tjetrën dhe këtej, pas shqiptarëve fshihen të tjerët. Por ne jemi shteti që aspirojmë Bashkimin Europian, shikohemi me lupë. Ka që na duan, ka që nuk na duan. Ata që nuk na duan, thonë: “Ja, krimi shqiptar; krimineli shqiptar!” Por ne nuk kemi pse të penalizojmë një vend, një shtet, një popull të tërë për shkak të individëve të veçantë”, tha Ruçi./ tirananews.al