Në një ceremoni të organizuar gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi inspektorit Marsel Bicja “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”.
Certifikata vlerëson veprimin e Bicjes, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe shpëtoi jetën e një qytetari nga djegia, pas një shpërthimi të një bombe molotov.
Motivacioni i certifikatës: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit.”
Gjatë ceremonisë, Proda e falënderoi inspektorin për veprimin e tij, duke shtuar se ky veprim: “dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”.
Edhe drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, duke theksuar se Bicja nuk kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e udhëhoqi ndjenja njerëzore dhe uniforma që mban.
Nga ana e tij, inspektor Marsel Bicja shprehu mirënjohjen për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.
