Kombëtarja U-21 e Shqipërisë mori një barazim të vyer 2-2 në transfertën e vështirë të Turqisë në ndeshjen e vlefshme për eleminatoret e Euro 2021 për 21-vjeçarët. Në ndeshjen e vendosur e gjitha në pjesën e dytë kuqezinjtë e vegjël kaluan të parët në avantazh me Leonardo Malokun.
Gëzimi në kampin kuqezi zgjati vetëm 5 minuta kur Muldur i vendasve barazoi shifrat. Më pas 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt Dervisoglu do të kalonte për herë të parë në avantazh turqit.
Atëherë kur u mendua se do të përfundonte në humbje ndeshja për kombëtaren shqiptare, sulmuesi Shaqir Tafa arriti të shënojë golin e barazimit. Bie në sy se të dy lojtarët të cilët shënuan për kombëtaren U-21 të Shqipërisë luajnë në Itali, Tafa me Cuneo dhe Maloku me Fermanën.
Me këtë rezultat merr barazimin e dytë rradhazi në dy ndeshje, pas asaj me Andorrën. Theksojmë se skuadrat e tjera të cilat Shqipëria U-21 ka në grup janë Austri, Angli dhe Kosova. Grupi kryesohet nga Turqia ndërsa Anglia dhe Austria ende nuk kanë zhvilluar ndeshjen e parë.
