Në kuadër të përgatitjeve për të legalizuar kultivimin e kanabisit mjekësor, Qeveria e Shqipërisë të enjten ka njoftuar se do të themelojë Agjencinë Kombëtare për licencimin e kompanive që do të merren me këtë veprimtari dhe ka nisur hartimin e ligjeve që do ta rregullojnë atë.
Shqipëria ndër vite ka kultivuar kanabisin dhe vendi është njëri nga prodhuesit dhe eksportuesit kryesor ilegal të kësaj substance narkotike në Evropë.
Ligji që do ta legalizojë kultivimin e kanabisit në Shqipëri pritet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndonëse jo pa kundërshtime.
Ndonëse legalizimi i përdorimit vetjak të kanabisit është kundërshtuar nga deputetët e dy partive, deputetët demokratë kanë kundërshtuar legalizimin e kultivimit të tij për shkaqe shëndetësore.
Sipas ligjit të hartuar nga qeveria, licenca për kultivimin do të jepet për 15 vjet për të kultivuar 150 hektarë kompanive që kanë një kapital fillestar prej 100 milionë lekësh dhe përvojë në kultivimin e bimëve mjekësore.
