Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha pas mbledhjes së qeverisë se është vendosur që Shqipëria t’i japë Kosovës energji elektrike.
Siç theksoi ministrja Balluku, Shqipëria do i japë energji Kosovës më datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Ndërkohë, Balluku theksoi se ky do të jetë një borxh për Kosovën, e cila duhet ta kthejë kur të ketë mundësinë.
“Ne do sakrifikojmë dhe do heqim nga rezervat tona për t’ja dërguar Kosovës. Sasia e dërguar është 7680 megavat dhe do fillojmë transmetimin në orën 7 të datës 31 dhe do transmetojmë deri në orën 24:00. Gjithçka që do dërgojmë nuk presim shkëmbim financiar, por kjo sasi që ne do depozitojmë do na kthehet në një moment kur ata të kenë komoditetin në periudhën e Verës, pra nga Qershori deri në Shtator, kur Shqipëria ndeshet me vështirësitë e rezervave hidrike.
Kjo është një sakrificë që bëhet nga Republika e Shqipërisë. Do të mundohemi të krijojmë një mishel përmes depozitave që po krijohen me shpresë këto ditë nga reshjet që do të kemi dhe kemi për momentin dhe ne do të jemi në kushtet e importit edhe për Republikën e Shqipërisë. Kështu që do të jetë një mishelim edhe i rezervës hidrike që do të përdorim nga kaskada e Drinit, edhe i një blerje në rast se do të jetë e nevojshme. Shpresoj që do t’ja dalim me rezervat tona”, deklaroi ministrja Balluku.