Në media u bë virale këto ditë një video ku kreu i Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, Richard Hodges e cilësonte Shqipërinë një shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.
Hodges shprehet se vendi ynë ishte produkt i fuqive të mëdha, ndërsa fliste për dëbim të grekëve.
Në këtë debat është përfshirë edhe Artan Shkreli, ish-zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në qeverinë “Rama” dhe aktualisht kreu i Institutit të Ndërtimit. Shkreli i cili është me profesion arkitekt dhe është anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ka shprehur habinë e tij për këtë deklaratë të konsideruar shokuese nga mjaft intelektualë dhe opinion publik. “…paese artificiale creato senza un albanese…” shkruan Shkreli duke shprehur habi përmes emoji-t.
Irritimin ndaj kësaj deklarate nga ana e kreut të Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, Richard Hodges e ka shprehur edhe Edon Qesari, profesor i Shkencave Politike.
“Personalisht nuk kam asnjë kundërshtim intelektual ndaj pohimit të Richard Hodges-it se Shqipëria është shtet artificial. Madje do t’i shkëmbeja disa pikëpamje të frytshme me të në lidhje me artificialitetin e kombit, pos shtetit.
Por, do të ishte një shkëmbim i dobët, e mjaft i varfër; se të pohosh sot ca të vërteta aq të ditura, gati banale – nuk është ndonjë arritje; aq më pak akademike. (Çdo student i vitit të parë, në cilëndo degë të shkencave humane apo sociale, do të ta përmendte përmendësh artificialitetin e shtetit apo të kombit.)
Hodges-i, nëse ka ndërmend të bëjë ndonjë pohim revolucionar dhe të paparë, do të duhej të na tregonte se cili shtet, përkundrejt Shqipërisë, nuk është artificial. Pra se cili shtet, apo komb nëse duam, ËSHTË natyral – që do të thotë se nuk është artificë (trillim) njerëzor, por i ka rrënjët në natyrë, a priori Adamit/Ademit dhe a posteriori Ditës së Krijimit.
Ose, e thënë ndryshe dhe pa zbulesa biblike, të na tregojë se cili shtet apo komb është rezultat i një seleksionimi biologjik të cilin njeriu e ka gjetur të gatshëm në natyrë.
Pyes sepse Hodges-i është edhe bashkëkombës i njëfarë Houston Steëart Chamberlain-I”, shkruan ai.
Mbetet për t’u parë nëse qeveria do të vijojë t’i besojë Hodges apo do të marrë masa për shkarkimin e tij pas kësaj deklarate. Gjer më tani, asgjë nuk ka lëvizur ndërkohë që video po qarkullon në rrjete sociale.
Tirananews.al po risjell dhe deklaratat e Hodges për Butrintin.