Nga Arbër Berisha
Perandoria Osmane kishte nevojë për forca të reja, shqiptarët u bënë besnikët e parë që jetonin në kuadër të kësaj perandorie. Sipas historianit turk Abdulkadir Ozcan theksohet se: “ Perandoria Osmane kishte 34 sadriazemë (kryeministra) gjatë kohës së ekzistencës së kësaj fuqie botërore, thënë ndryshe ata qëndruan në krye të qeverisë afërsisht 100 vjet ose 1/6 e kohës së ekzistencës së kësaj perandorie ”. I pari krye-vezir që erdhi në pushtet ishte Koço Daut Pasha në vitin 1493, i cili ishte me prejardhje shqiptare. 47
Kontributi i tij njihet në fushat socialo-kulturore. Ai ka qënë mbështetës i shkencës. Të gjithë pasurinë e tij e harxhoi për bamirësi. Xhamitë, medresetë, shkollat fillore, çesmet si dhe një sërë godinash socialo-kulturore, përdoren edhe sot e kësaj dite në lagjet e Stambollit. Ajo çfarë e bën Daut Pashën të pavdekshëm është edhe ndërtimi i mureve mbrojtëse të Kostantinopojës. Daut Pasha, me shpenzimet e tij ndërtoi gjithashtu edhe një vilë për sultan Bajazitin e II-të.
Fortifikimet që iu bënë për ushtrinë e re në shek. e XIX-të morën emrin e Daut Pashës. Dy lagje në Stamboll mbajnë emrin e tij. E skalitur në kulminacionin e saj ishte edhe koha e Qyprilive (1656-1683) me përfaqësuesin e tyre të parë Mehmet Qypriliun i cili lindi në një familje shqiptare, që ishte vendosur pranë Merzifonit në qytetin Qëpry (Kopru) nga mbiemri i të cilit morri edhe emrin sot ky qytet, për nder të këtij veziri të madh shqiptar quhet Vezirqëpry (Vezirkopru). Rrugën e Qyprilinjëve do t’a vazhdojnë i biri Fazil Ahmet Pashë Qypriliu (1661-1676), kunati i tij Kara Mustafa Pasha (Qypriliu) (1676 -1683), Abdullah Qypriliu (1723-1735) e shumë të tjerë nga dera e Qyprilive.48
Në funksionin e vezirit të madh, pra të sadrazemit – përveç Qyprilinjëve shërbyen edhe shqiptarë të tjerë, rreth të cilëve ka fare pak apo më mirë të themi aspak njohje, kërkime dhe hulumtime shkencore. Megjithatë, t’a bëjmë një gjest, qoftë edhe vetëm prezantimin e emrave të tyre duke shpresuar se pas kësaj me siguri do të ketë prurje të tjera që do të ndriçojnë veprimtarinë dhe kontributin e këtyre shqiptarëve në historinë e Perandorisë Osmane. Disa nga ata janë:
1. Arnaut Haxhi Halil Pasha – lindur në Elbasan (1655 – 1733) – sadriazem.
2. Patrona Halil – lindur në Shqipëri dhe vdekur në Stamboll (1730) – kryengritës.
3. Ajaz Ahmet Pasha – lindur në Vlorë, vdekur në Stamboll (1539) – sadriazem.
4. Turhunçu Ahmet Pasha – lindur në Shqipëri, vdekur në Stamboll (1653) – sadriazem.
5. Pargali Ibrahim Pasha – lindur në Pragë, vdekur në Stamboll 1536 – sadriazem.
6. Kemankesh Kara Mustafa Pasha – lindur në Shqipëri (1592-1644) – sadriazem etj.
Të njohur dhe në fushën jo politike vlen të përmenden :
1. Arkitekti Atik Sinani 49, i cili e ndërtoi xhaminë e sulltan Mehmet Fatihut të II-të.
2. Arkitekti Sedefqar Mehmet Agai, i lindur rreth vitit 1549 në Elbasan, i cili e ndërtoi xhaminë e famshme “Sulltan Ahmet Xhami – Xhamia e Kaltër” në Stamboll.
3. Arkitekt Kasem Agai i lindur në Gramsh (Shqipëri), i cili ishte urbanist, konstruktor.
4. Mehmet Isai nga Opari, i cili ishte konstruktor i Taxh Mahallës në Arka të Indisë e cila sot konsiderohet si një ndër shtatë mrekullit e botës etj.
Në fushën e historisë dhe gjeografisë kemi enciklopedistin më të madh botëror të kohës moderne Sami Frashërin (1850-1904) me kryeveprën “ Kamus-al-a’lam “ apo, “ Enciklopedia historiko-gjeografike e botës ”, në 6 vëllime me gjithsejt 4830 faqe.
Sipas raportit vjetor të Foreing Office për vitin 1909, shqiptari Raif Pasha ishte drejtor (mudur) i përgjithshëm i doganave të Perandorisë Osmane. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm, jo vetëm në politikë, qeverisje, administrate si vezirë (ministra), bejlerbenj (guvernatorë), sanxhak-bejlerë (prefektë), kadilerë (gjykatës), katibë (sekretarë), myderrizë (arsimtarë), ushtri (jeniçerë, spahinjë), por edhe në kulturë, art, shkencë, letërsi etj. Këto dhe shumë të tjera që nga fillimi e deri tek përfundimi si perandori me një super kulturë të ngritur, mbetën për të mos u harruar në shekujt e artë të civilizimit dhe ngritjes së ndërgjegjes dhe vetëdijes së muslimanëve në rruzullin tokësor si dhe lidhjen e shqiptarëve dhe ngritjen e tyre me vëllezërit dhe aleatët e natyrshëm osmanë.
Kontribut të madh në fushën e hartografisë dhuroi Piri Reis (Haxhi Muhidin Piri ibn Haxhi Mehmed (1465 – 1554), detar dhe hartograf shqiptar i lindur në Galipol në bregdetin e Egjeut, që mendohet të ketë marrë emrin për nder të heroit epirot Pirro, i cili i pari në botë i vizatoi hartat e Antarktikut dhe ua kaloi të gjithë hartografëve me saktësinë e paraqitjes së bregut perëndimorë të Afrikës dhe atë të kontinentit amerikano-jugor. 51
Një ndër hartat që përmbante libri “Kitab-i-Bahriye“, ku përfshihet Evropa si dhe Afrika Veriore. 52
Vepra e Piri Reisit Kitab-i-bahriye apo libri i detërave është një nga librat më të famshëm paramodern të lundrimit. Libri përmban informacione të detajuara mbi portet kryesore, gjiret, golfet, kepet, gadishujt, ishujt, ngushticat dhe strehimoret ideale të detit Mesdhe si dhe teknikat e lundrimit dhe informacionet të lidhura me lundrimin përmes astronomisë. Libri gjithashtu përmban informacione në lidhje me njerëzit vendorë të çdo vendi, qyteti dhe aspektet kurioze të kulturës së tyre.
Kitab-i-Bahriye ishte shkruar në fillim midis viteve 1511 dhe 1521, por ai u rishikua me informacione shtesë dhe skemë të hartuar-mirë midis viteve 1524 dhe 1525 në mënyrë që të paraqitet si një dhuratë për sulltan Sulejmanin e I-rë. Piri Reis përpiloi këto lista gjatë udhëtimeve të tij rreth detit Mesdhe me dajën e tij Kemal Reisin. Botimi i rishikuar i vitit 1525 ka një total prej 434 faqe dhe përmban 290 harta.
Meqë jemi në fushën e detarisë, nuk mund të lëmë pa e përmendur shqiptarin, Hajredin Barbarosa (1478-1546) pronarin e detit Mesdhe, themelues të Algjerisë, shok i sulltanëve osmanë dhe i mbretit të Francës – Francisi i I-rë. Emri i lindjes ishte Hizr ose Hidri dhe ka qenë me prejardhje nga Maqedonia e Egjeut sikurse Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, i lindur nga e ëma Katerina dhe i ati Jakupi. 53
Nga vëllezerit e tij: Isaku, Iljazi dhe Oruçi, ky i fundit ishte i pari i cili i bëri emër me sulmet e tij kundër anijeve të perandorive kryqtare në kohën e përzënies së muslimanëve dhe jehudëve nga Europa Perëndimore. Më vonë Oruçi u bë i dashur nga muslimanët dhe hebrenjtë për ndihmën e tij në shpëtimin dhe evakuimin e tyre nga Spanja, duke u emërtuar “Baba Oruç”, që tingëllonte ngjashëm me “Ba(r)ba (o) Rossa”. 54
Kishte mjekërr të kuqe. Hizriu e mori zanatin nga i vëllai. Gjatë jetës veproi si i pavarur, por u detyrua të lidhë aleancë me ndonjërën nga fuqitë detare të kohës. Oferta kishte nga Perandoria Spanjolle, Franca dhe natyrisht nga Perandoria Osmane. Pasiqë Perandoria Osmane ishte atdheu i tij dhe në kuadër të saj ishin integruar me shumicë shqiptarët të cilët ishin bërë bashkësundimtarë me sulltanët, Hizriu vendosi që të hiqte dorë nga titulli sulltan i Algjerisë dhe të bashkohej me Perandorinë Osmane. 55
Në këmbim, sulltan Sulejmani i I-rë i njohu atij edhe formalisht sundimin mbi det duke i dhënë dorë të lirë të vazhdonte aventurën e nisur në moshën rinore, por tani nën titullin: ” Kapudan-ı-derya” (admiral i detit). Për sukseset e tij sulltan Sulejmani i I-rë i dha nofkën: ” Hajred-din” (dobiprurësi i fesë). Hajredini u nis t’a pushtojë Romën por Papa (Pali i III-të) e luti mbretin Francisi i I-rë i cili ishte shok i Hajredinit që të mos ndërhyjë, prandaj Hajredini e lëshoi këtë rast. Për hatër të shokut të tij Francis e pushtoi qytetin e Nicës dhe ia fali atij, qytet i cili edhe sot është pjesë e Francës.
Hajredin Barbarosa pasi e shkatërroi tërë flotën e krishterë të Mesdheut në betejën e Prevezës në vitin 1538 u bë pronar i detit Mesdhe, duke i detyruar perandoritë e krishtera të orientoheshin kah Atlantiku. Perandoria Osmane e trashëgoi Mesdheun nga Barbarosa duke e ruajtur supremacinë deri në betejën e Lepantos në vitin 1571.
Miguel de Servantes (autori i Don Kishotit) e përmend se zotëriu dhe pronari i tij Mem Arnauti ishte nip i Barbarosës. Historiografia shqiptare e 100 viteve të fundit ia ka falur Greqisë dhe Turqisë të gjitha figurat historike të cilat kanë luftuar për përforcimin e perandorisë anti-ruse, përfshirë edhe të lavdishmin Barbarosa. 56
Pas abdikimit të Mutevekilit të III-të nga dinastia e Abasitëve në favor të Perandorisë Osmane (pra pushtetin ua kaluan abasitët e rrezikuar nga mongolët dhe shiitët e nuk ua morrën osmanët me dhunë), zgjerimet osmane në pellgjet e Mesdheut u kushtëzuan jo nga faktori ekspansionist, por nga ai xhihadist për t’i ardhur në ndihmë edhe dinastisë së Emevitëve në Andaluzi, që po kanosej me zhdukje nga konkuizatorët e Filipit të Kastiljes, Ferdinandit, Isabellës (1492), dhe më vonë e Gjonit të III-të të Mbreterisë së Aragonës.
Pasi që sultan Bajaziti i II-të kishte bërë gabim fatal duke mos u ardhur në ndihmë muslimanëve të Andaluzisë, kjo punë ngeli pezull deri në periudhën e sulltan Sulejmanit të I-rë që me Hajredinin strategjikisht kishin ndarë rolet: sulltani tokën ndërsa Hajredini detin. Çlirimet e Hajredinit i hasim tek vepra Rubairat që e përktheu Fan S. Noli, të cilat i bëri katrahurë sullltan Sulejmani i I-rë, që iu dha të drejtën të krishterëve të lundrojnë nëpër Mesdhe, pas traktatit miqësor me Francisin e I-rë (1527), akt që dërgoi në forcimin e tyre, dhe kapitullimin në Lepanto më 1571. Më pas nuk kishin çlirime në Mesdhe por vetëm mbrojtje dhe evakuime si në rastin e vitit 1555 kur nga Aragona (Mbretëria e Portugalisë) u evokuan mijëra hebrenjë dhe muslimanë të dëbuar nga ky shtet. 57
Kontribut të lartë kemi edhe në fushën e artit, letërsisë si dhe kulturës shpirtërore, e cila promovon vlera të larta artistike. I tillë ishte edhe poeti me origjinë të vjetër shqiptare Jahja bej Dukagjini (1498-1582), i cili ishte një nga poetët më të mëdhenjë osman të shek. XVI-të. 58
Ai konsiderohet i dyti pas Fuzulit (1483 – 1556), në llojin e poezisë Mesnevi. Si në veprën e tij Divan ashtu edhe në veprën Hamse, herë pas here ai përmend faktin se është me origjinë nga Shqipëria; “ nga vendet ku lartësohen malet “.
Ka shkruar pesë poema. Me këtë rast do të shkëpusim dy strofa nga poema Visaret e fshehta apo Gencine-i-Raz:
Raca shqiptare është raca ime, mbarë populli im mbanë shpatën pranë,
Ata trima si petritë nuk e kanë për gjë, të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjëve,
Farefisi im rrjedh nga paria shqiptare, sojin e kam prej princërve të Dukagjinit,
Sado që u bëra jeniçer i osmanëve, nuk e fsheh dot, lumturinë time që gëzoj,
Krenohem duke luftuar nëpër fushë-beteja, me flamur të kuq në dorë.59